Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Komuna zgjedh projektin për memorialin “Adem Jashari” mbi sheshin që s’ekziston

Projekti për memorialin 'Adem Jashari"

Projekti i përzgjedhur ka tri elemente bazë: Formën e shtyllës kurrizore, tingullin dhe gjethet e dafinës. Zë vend fiks midis Xhamisë së Gurit dhe Kuvendit të Kosovës. Do të ketë fontanë, 59 pemë dhe amfiteatër. Me strukturë prej metalit të oksiduar gjatësia është paraparë të jetë nga 70 deri në 140 metra, kurse lartësia prej 2.6 deri në 8 metra. Projekti ideor fitues mban autorësinë e artistit Ilir Blakçori, njëherësh autor i veprës publike “Heroinat” përballë Pallatit të Rinisë dhe Sportit

Të hënën kryetari Përparim Rama ka shpalosur renderin e radhës. Në fakt është njëfarë renderi mbi render. Zgjatimi i bulevardit kryesor të qytetit midis Kuvendit të Kosovës dhe Xhamisë së Gurit nëpërmjet një zgjidhjeje për makina me tunel nëntokësor është projekt veç në letër. S’ka leje për t’u realizuar. E tash mbi “tunel” e “pjesën e re të bulevardit” prapë me render zë vend memoriali përkujtimor “Adem Jashari”. Me nismën e tretë – pas dështimit të dy të parave – Komuna ia ka dalë që të jetë një projekt ideor për memorialin që ka për synim nderimin e përkujtimin e të rënëve të familjes Jashari nga Prekazi i Skenderajt

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është mjeshtër i renderëve. Jo veç për shkak të profesionit si arkitekt, por edhe për faktin se pos renderëve në vitin e pestë si kryetar të Komunës, s’ka finalizuar asnjë nga projektet e mëdha. Të hënën ka shpalosur renderin e radhës. Në fakt është njëfarë renderi mbi render. Zgjatimi i bulevardit kryesor të qytetit midis Kuvendit të Kosovës dhe Xhamisë së Gurit nëpërmjet një zgjidhjeje për makina me tunel nëntokësor është projekt veç në letër. S’ka leje për t’u realizuar. E tash mbi “tunel” e “pjesën e re të bulevardit” prapë me render zë vend memoriali përkujtimor “Adem Jashari”. 

Me nismën e tretë – pas dështimit të dy të parave – Komuna ia ka dalë që të jetë një projekt ideor për memorialin që ka për synim nderimin e përkujtimin e të rënëve të familjes Jashari nga Prekazi i Skenderajt. Projekti i përzgjedhur ka tri elemente bazë: Formën e shtyllës kurrizore, tingullin dhe gjethet e dafinës. Zë vend fiks midis Xhamisë së Gurit dhe Kuvendit të Kosovës. Do të ketë fontanë, 59 pemë dhe amfiteatër. Me strukturë prej metalit të oksiduar gjatësia është paraparë të jetë nga 70 deri në 140 metra, kurse lartësia prej 2.6 deri në 8 metra.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Zâni i lirisë” si jehonë e sakrificë

Projekti ideor fitues mban autorësinë e artistit Ilir Blakçori, njëherësh autor i veprës publike “Heroinat” përballë Pallatit të Rinisë dhe Sportit. KOHA ka kërkuar sqarime nga kompania e Blakçorit dhe Komuna. Asnjëra palë s’është përgjigjur. E copëza të projektit janë ekspozuar nga kryetari Përparim Rama, në rrjete sociale, pasi Komuna ka pranuar pyetjet e KOHËS nëpërmjet postës elektronike. 
“Zâni i lirisë” mban titullin projekti fitues i kompanisë së Blakçorit, “Molos Creative L.L.C.”. 

“Sakrifica e tyne, u bá zâ për liri. E ai zâ, nuk do të shuhet kurrë. Memoriali “Zâni i Lirisë” u kushtohet sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë atyre që ranë bashkë me ta. Sakrifica e tyre u bë themel i lirisë që sot e gëzojmë. Në zemër të këtij kujtimi qëndrojnë fjalët e Adem Jasharit:’Besa besë, vetëm një vdekje se tjetër s'ka në këtë jetë. Edhe një fjalë e mirë’. Pak fjalë, por me një kuptim të thellë për jetën, sakrificën dhe përgjegjësinë ndaj vendit” është përshkrimi që i bëhet konceptit në imazhet e publikuara. Sipas sqarimeve, memoriali vizualizon valën e zërit të Adem Jasharit, me ato pak fjalë, por me peshë të madhe. Fjalë që sipas projektuesit, do të jehojnë në kohë dhe në hapësirë.

“Struktura krijon një gjurmë fizike të zërit në hapësirën urbane. Shtresat e saj përkthejnë energjinë e fjalës në një formë arkitektonike që lexohet njëkohësisht si valë zëri dhe si bosht që përshkon hapësirën. Hapjet mes segmenteve formojnë një kurorë nderimi që simbolizon respektin dhe triumfin e lirisë”, shkruhet në materialet e publikuara. Aty sqarohet se nga këto shtresa buron ujë, një shenjë e jetës dhe e paqes që lind nga sakrifica. Sipas projektuesit, bëhet fjalë për një ndërveprim me dritën dhe materialet, uji i jep memorialit një dimension të gjallë dhe në ndryshim të vazhdueshëm.

“Rreth hapësirës mbillen pesëdhjetë e nëntë pemë në nderim të secilit jetë që u shua. Çdo pemë mban emrin e tij ose të saj dhe formon një peizazh të gjallë kujtese që rritet me kohë”, shkruhet në sqarimet që shoqërojnë imazhet. 

KOHA ka pyetur se kush ishte në juri dhe si do t’ia bëhet me projektin pasi planet janë që të ndërtohet në një ambient që ende nuk ekziston, por është veç projekt. Por Komuna s’është përgjigjur. 
Sipas dosjes së tenderit, “Smart Architecture dhe Studio Pacarizi” u vlerësuan me 53.98 pikë në konkurs, “GM Architecture SH.P.K.” u vlerësua me 80.65 pikë dhe paraqiti ofertë financiare prej 118 mijë e 900 eurosh, “Kolegji Ndërkombëtar për Biznes dhe Teknologji (UBT) dhe Alfa-Product SH.P.K” arritën rezultatin prej 65.64 pikësh në vlerësim e “Molos Creative L.L.C. u rendit me 86.32 pikë dhe ofertë financiare prej 125 mijë eurosh. Kurse “Hark Architecture Sh.p.k. dhe Atelier 4” u vlerësuan me 82.66 pikë dhe paraqitën ofertë në vlerë prej 124 mijë eurosh dhe “G-Projekt, FST Engineering Sh.p.k. dhe T3D Studio Design SH.P.K” morën 62.65 pikë në procesin e vlerësimit. 

“Molos Creative L.L.C.” ka zënë vendin e parë në vlerësim dhe është shpërblyer me 125 mijë euro për hartimin e projektit zbatues me të gjitha fazat. “Hark Architecture Sh.p.k. dhe Atelier 4” ka zënë vendin e dytë dhe është shpërblyer me 15 mijë euro. Kurse “GM Architecture SH.P.K” është renditur në vendin e tretë dhe do të marrë 10 mijë euro.

Nënkalimi si projekt paraprak që kushtëzon realizmin e memorialit

Qëllimi i Memorialit, sipas thirrjes së Komunës, është të ruajë kujtesën historike duke nderuar trashëgiminë e një ngjarjeje kyç në historinë e Kosovës, të promovojë vlerat universale dhe të përmirësojë peizazhin urban. 

Objektivat e Komunës janë të krijojë një intervenim të përshtatshëm në hapësirën publike, e cila do të manifestonte më së miri rezistencën dhe sakrificën e familjes Jashari, si një nga ngjarjet më të rëndësishme që kontribuuan në çlirimin e Kosovës. Sipas thirrjes, Memoriali duhet të nxisë kuptimin më të thellë të historisë së Kosovës dhe rolit të kësaj ngjarjeje kulmore në formësimin e kombit përmes rrëfimit urban në hapësirë të lirë. 

“Zhvillimi i një dizajni të intervenimit në hapësirë publike me në qendër të artikulimit të saj ‘Memoriali përkujtimor kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari dhe sakrificës së familjes së tij’, të integruar plotësisht në mjedisin konkret dhe duke ndihmuar atë në një transformim pozitiv bashkëkohor gjithëpërfshirës. Sigurohuni që propozimi juaj të jetë i qasshëm për personat me aftësi të kufizuara dhe të përfshijë parimet e dizajnit të qëndrueshëm për të minimizuar ndikimin mjedisor, duke u përafruar me fokusin e vizionin e kryeqytetit për zhvillimin urban gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm”, shkruhej në thirrje. 

Komunës i është refuzuar dy herë projekti për tunelin midis monumenteve në rrugën “Agim Ramadani” fiks në vendin ku parashihet ngritja e memorialit mbi tunel. Me arsyetimin se projekti rrezikon autenticitetin e trashëgimisë kulturore të asaj zone, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve ka refuzuar edhe sivjet për të dytën herë projektin për nënkalim midis Kuvendit të Kosovës dhe Xhamisë së Çarshisë. Projekti, i cili është prej zotimeve kryesore të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, mund të cenojë shtatë monumente që gjenden përreth. 
Në ditën 25 të shkurtit të këtij, vendimi ia mbylli edhe njëherë rrugën tunelit të planifikuar në qendër të Prishtinës. 

Renderi i nënkalimit ku projekti për memorialin përkujtimor “Adem Jashari” duhet realizuar pas implementimit të nënkalimit për makina, për të cilin Komuna s’ka leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore

Historia me këtë nismë është e vjetër, por konkursi për atë që ishte paraparë si shesh monumental “Adem Jashari” qe hapur në vitin 2024. Në shtator të atij viti ishin prezantuar edhe pesë projektet e listës së ngushtë, të cilat ndryshonin në stile të ndryshme. Kishte skulptura monumentale e dizajne arkitekturore, nëpërmjet të cilave synohej që të simbolizohet kontributi i familjes Jashari për lirinë e Kosovës. Pesë projekte për një javë kishin qëndruar të ekspozuara në ndërtesën e vjetër të Komunës së Prishtinës. Por, rezultati ishte i barabartë me zero. Zyrtarët komunalë kishin thënë se familjes Jashari nuk i kishin pëlqyer dizajnet. 

“Familja dhe ne s’kemi qenë të kënaqur me idetë që kanë ardhur”, kishte thënë në najar Gëzim Kastrati, asokohe drejtor i Drejtorisë për Transformim në kryeqytet. Sipas tij, në konkursin tertë janë vendosur standarde të larta në thirrje dhe shpresojnë se do të respektohen. Specifikimet ishin të njëjtat edhe në vjeshtën e vitit 2024, kur u tentua që nëpërmjet thirrjes së dytë Komuna të bëhej me projekt. Por, sipas procesverbalit të hapjes së ofertave, s’ishte bërë asnjë propozim. 

Sikurse nisma ashtu edhe caktimi i lokacionit kanë një histori të vjetër. Në nëntor të vitit 2019, kur Komuna udhëhiqej nga kryetari Shpend Ahmeti, Kuvendi Komunal kishte marrë vendim që ai të jetë midis ndërtesës së Qeverisë dhe asaj të Kuvendit të Kosovës.

“Miratohet vendimi për vendosjen e shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, në cepin e hapësirës së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë”, shkruhej në vendimin e marrë më 7 nëntor të vitit 2019.

Sipas numrit të ngastrës kadastrale, bëhej fjalë për cepin midis dy institucioneve që kufizohet me bulevardin “Nënë Tereza”, afër shtatores së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Në vitin 2023 asamblistët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës bashkë me ish-nënkryetaren e kryeqytetit, Donjeta Sahatçiu, kishin proklamuar se shtatorja do të jetë gati për 28 nëntorin e atij viti, ditë që pos festës kombëtare njihet edhe si ditëlindja e heroit Adem Jashari.

Në këtë “lojë” qe inkuadruar edhe asokohe kryetari i PDK-së, ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i cili postoi edhe video në rrjete sociale duke paralajmëruar shtatoren. Krejt kjo përfundoi si shumë iniciativa të tjera duke dështuar.