Një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ka nisur numërimi i votave për kandidatët për deputetë. Procesi po zhvillohet në qendrat komunale të numërimit, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pret që rezultatet përfundimtare t’i shpallë deri më 26 qershor. Krahas numërimit të votave brenda vendit, ndikim të madh në rezultatin final pritet të kenë edhe votat e diasporës, të cilat këtë herë përbëjnë peshën më të madhe ndonjëherë në një proces zgjedhor në Kosovë
Numërimi i votave të kandidatëve në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prishtinë, ka nisur të hënën pasdite.
E në 15 komuna të tjera, kryesisht më të vogla, ky proces ka filluar që nga mëngjesi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNëpër QKN, numërohen votat e kandidatëve për deputet si dhe verifikohen ato të partive.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, për numërimin e votave janë angazhuar rreth 2200 anëtarë, të cilët në komunat me pak votues, procesin pritet ta përfundojnë brenda javës.
“Disa prej tyre që kanë numër më të vogël të vendvotimeve mund të arrijnë ta përmbyllin këtë proces ndërsa të tjerat natyrisht se do të duhet kohë më e madhe”, ka thënë Elezi.
Elezi ka bërë të ditur se deri më tani janë tërhequr rreth 84 mijë pako me fletëvotime nga diaspora, të cilat do të verifikohen dhe numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Aty do të numërohen gjithashtu rreth 8 mijë e 700 vota me kusht, mbi 22 mijë vota nga përfaqësitë diplomatike dhe afro 3 mijë vota të personave me aftësi të kufizuara.
Sipas Elezit, nëse procesi shkon mbarë dhe nuk ka ankesa, KQZ-së i duhen një muaj që t’i certifikojë rezultatet, e që kjo i hapë rrugë formimit të institucioneve.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare planifikohet të bëhet deri më datën 26 qershor, pra ky është parashikim apo planifikim në planin operacional të aktiviteteve të KQZ-së. Ndërkaq certifikimi i rezultateve përfundimtare dhe njëkohësisht përmbyllja e procesit zgjedhor planifikohet të bëhet deri më datën 6 korrik”, ka thënë Elezi.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur të dielën, vetëm gjashtë muaj pas atyre të 28 dhjetorit.
Rezultatet preliminare tregojnë rënie të ndjeshme të pjesëmarrjes në votim.
Krahasuar me zgjedhjet e kaluara, rreth 180 mijë qytetarë më pak shfrytëzuan të drejtën e votës.
Vetëvendosje, e cila doli e para me 42.91 për qind të votave, ka marrë afro 134 mijë vota më pak krahasuar me rezultatin preliminar të zgjedhjeve të dhjetorit.
Partia Demokratike e Kosovës, e renditur e dyta me 21.12 për qind, ka humbur gati 37 mijë vota.
Bashkimi me Vjosa Osmanin, Lidhjes Demokratike ia solli 3,374 vota dhe mbetet forca e tretë me 17.58 për qind.
E ndërrimi i kryetarit, Aleancën e ka rritur për 219 vota, e në përqindje u ndalë në 7.16%.
Rezultati përfundimtar mund të ndikohet ndjeshëm nga votat e diasporës.
Në këto zgjedhje janë regjistruar mbi 130 mijë votues jashtë vendit, numër rekord që, nëse shumica e votave rezultojnë të vlefshme, përbën rreth 15 për qind të elektoratit të përgjithshëm.
Tradicionalisht, Vetëvendosje ka mbështetjen më të madhe në diasporë.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar ajo mori rreth 42 për qind të votave në Kosovë dhe afro 55 për qind në diasporë. Në zgjedhjet e dhjetorit, partia siguroi rreth 49 për qind në vendvotimet e rregullta dhe afërsisht 76 për qind të votave nga jashtë.
Nëse ky trend vazhdon edhe në këto zgjedhje, votat e diasporës mund t’ia rrisin Vetëvendosjes rezultatin përfundimtar me dy deri në katër për qind.