Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Spahija: Partitë të merren vesh njëkohësisht për qeveri e president

Florent Spahija

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se është mirë që partitë politike qysh nesër të ulen dhe të bisedojnë për ndarje të pushtetit pasi sipas tij është e pamundur të mos arrihet ndonjë koalicion qeverisës për faktin që në rend të ditës e kemi edhe çështjen e presidentit.

Ai në emisionin “60 Minuta” në KTV ka potencuar se çështjen e koalicionit duhet ta analizoj secila parti politike në bazë të përqindjes dhe fuqisë politike që e ka fituar në zgjedhje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Fakti që e kemi në rend të ditës çështjen e presidentit, e bën gati të pamundur mosrealizimin e një koalicioni qeverisës. Nëse nuk e realizojnë por merren vesh për emrin e presidentit por qeverinë mund ta bëjnë vetëm gjithsesi prapë është një marrëveshje politike të cilën subjektet politike duhet ta sjellin në tavolinë. Partitë duhet të ulen menjëherë të merren vesh edhe për qeveri edhe për çështjen e presidentit njëkohësisht. Janë vetëm 60 ditë kohë pas konstituimit të Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë dhe çështjen e presidentit”, ka thënë Spahija.

Sa i përket ndryshimeve të mundshme të përqindjes së rezultateve pas numërimit të votave nga diaspora, Spahija ka thënë se maksimumi që mund të rritet Lëvizja Vetëvendosje është 2% më shumë, duke u bazuar në atë që tradicionalisht LVV-ja ka fituar më shumë nga këto vota.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, rezultati i Lëvizjes Vetëvendosje u rrit nga 49 në 51% pas numërimit të votave nga mërgata.

“Nëse Lëvizja Vetëvendosje merr 45 për qind të votave nga diaspora, mund të fitoj një deri në dy deputetë më tepër. Për të pasur 51 deputetë, Vetëvendosjes i duhet të ketë 47% të votave por është gati e pamundur do të thosha që t’i marrë të gjitha këto vota. Pra, duke u bazuar në atë çka kemi parë nga përvoja e mëparshme. Nëse e masim me zgjedhjet e 28 dhjetorit, është rritur në 51% nga 49% pasi janë numëruar votat e diasporës. Pra mund të ketë një rritje prej 2%”, ka thënë Spahija.

Spahija nga KDI ka folur edhe për daljen e ulët të qytetarëve në votime. Ai ka thënë se në këtë ka ndikuar mungesa e diasporës në Kosovë për votuar siç ishte në dhjetor. Ndërsa te votuesit vendorë – shumë palë zgjedhje në periudhë të shkurtë kohore.

“Të gjitha subjeketet po sidomos dy të parat patën rënie. Subjekti më i madh pra sidomos Lëvizja Vetëvendosje pati koxha rënie të votave. Kjo si duket është pasojë e mungesës së ardhjes së diasporës për të votuar sepse sic e dini në dhjetor kanë qenë një numër shumë i madh i tyre. Nga ana tjetër edhe qytetarët brenda që kanë votuar kanë pasur një lloj revolte, nuk kanë dashur të dalin e të votojnë sërish”, ka deklaruar Spahija.

Bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ku nuk janë përfshirë votat me kusht, ato me postë, si dhe në përfaqësitë diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka fituar 42.91 për qind të votave do të ketë 48 deputetë në Kuvendin e Kosovës.  

Partia Demokratike e Kosovës, që ka dalë e dyta me 21.12 për qind të votave, do të ketë 24 deputetë.

Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.58 për qind të votave do të ketë 20 deputetë e Aleanca me 7.16 për qind të votave do të ketë 8 deputetë.