Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Zgjedhjet 2026

Elezi: Nëse s’ka ndonjë ankesë, shpallja e rezultateve përfundimtare bëhet më 26 qershor

Pamje nga QNR ne Prishtine, salla 1 tetori, zgjedhjet 2025 (Foto: Driton Paçarada)

ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, përmes një konference për media ka njoftuar për procesin që do të zhvillohet gjatë ditëve në vazhdim, një ditë pasi vendi iu nënshtrua edhe një palë zgjedhjeve të parakohshme nacionale.

Elezi bëri të ditur se nëse nuk ka ndonjë ankesë nga subjektet politike, është paraparë që shpallja e rezultateve përfundimtare të bëhet më 26 qershor, ndërsa certifikimi deri më datën 6 korrik.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Megjithatë Elezi deklaroi se kjo varet nga edhe ecuria e aktiviteteve në qendrat e numërimit.

“Në planin e aktiviteteve të miratuara qysh në fillim të këtij procesi zgjedhor, në rast se nuk ka ankesa, shpallja e rezultateve përfundimtare planifikohet të bëhet deri më datën 26 qershor, pra ky është parashikim në Planin Operacional të Aktiviteteve të KQZ-së qysh në fillim, ndërsa certifikimi i rezultateve përfundimtare dhe përmbyllja e këtij procesi zgjedhor planifikohet të bëhet deri më datën 6 korrik. Këto janë vetëm planifikime sepse krejt kjo varet nga ecuria në këto qendra të numërimit”, ka thënë Elezi.

Tutje zëdhënësi i KQZ-së ka dhënë detaje për procesin që do të zhvillohet gjatë ditëve në vazhdim në 38 qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Ai deklaroi se paraditen e sotme është përmbyllur verifikimi dhe numërimi i votave të subjekteve politike për 15 komuna, derisa pasdite do të fillojë në 23 komuna të tjera.

“Është përmbyllur numërimi i votave të subjekteve politike dhe pas përfundimit të procedurave të tjera materialet zgjedhore nga 949 qendra të votimit janë tërhequr dhe dërguar në 38 qendra komunale të numërimit. Sipas planifikimeve, verifikimi dhe numërimi paraditen e së hënës ka filluar në Qendrat Komunale të Numërimit të 15 komunave: Leposaviq, Novobërd, Obiliq, Shtime, Shtërpcë, Zubin-Potok, Zveçan, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graqanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut, ndërsa pasdite aktiviteti do të fillojë në 23 komunat e tjera”, ka thënë Elezi.

Sipas ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi bëhet në vendvotim pasi të bëhet procesi i votimit ndërsa numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, bëhet në Qendrat Komunale të Numërimit.

Ndwrkohw për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë masa përmes përmirësimit të kornizës rregullative. Në akte nënligjore është paraparë një mekanizëm shtesë kontrolli i procesit të numërimit të fletëvotimeve. Konkretisht, është paraparë që pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ vlerëson situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë rinumërimin e votave deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme. Ky mekanizëm kontrolli, i saktësisë së numërimit të votave, ka për qëllim të shtojë kujdesin dhe besueshmërinë në rezultatet e zgjedhjeve.

E nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi në 30 përfaqësi diplomatike, nga 27,724 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 22,414 prej tyre apo 80.85%. Ndërkaq, nga votimi përmes postës, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 104,480 votues. Nga ky lloj votimi, KQZ ende nuk ka të dhënat përfundimtare për numrin e pakove me fletëvotime pasi ende nuk ka përfunduar tërheqja e tyre nga kutitë postare. Sipas të dhënave preliminare, deri në orën 16:00 (e hënë, 8 qershor 2026) nga 20 kutitë postare në Berlin (41,561); Bern (23,356); Tiranë (9); Budapest (73); Shkup (63); Pragë (46); Stamboll (179); Zagreb (210); Hagë (238); Paris (3,470); Stokholm (4,633); Podgoricë (128); Ljubljana (891); Londër (1,383); Prishtinë (2,005); Oslo (654); Vjenë (2,570); Bruksel (1,195); Kopenhagë (348); Romë (1,820) – janë tërhequr 84,832 pako të supozuara me fletëvotime.