Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Starmerin pritet ta sfidojë të enjten sekretari i tij i Shëndetësisë, Wes Streeting

Wes Streeting

Foto: Associated Press

Mbështetësit e sekretarit të Shëndetësisë, Wes Streeting presin që ai ta sfidojë kryeministrin britanik, Keir Starmer që të enjten, për udhëheqjen e Partisë Laburiste. 

Streeting është takuar me kryeministrin në "Downing Street" mëngjesin e së mërkurës për më pak se 20 minuta, pas disa ditësh spekulimesh intensive se ai po përgatit një kandidaturë për ta zëvendësuar Starmerin.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

BBC-ja ka folur me dy mbështetës të rëndësishëm të sekretarit të Shëndetësisë, të cilët janë të bindur se ai do të nxisë të enjten një garë për udhëheqje, si dhe me të tjerë që kanë thënë se do të zhgënjeheshin nëse Streeting tërhiqet nga sfida në këtë pikë.

Një mbështetës i Streeting ka thënë se nëse sekretari i Shëndetësisë nuk e sfidon Starmerin, atëherë “do ta kemi goditur veten me thikë kot”.

Sipas rregullave të Partisë Laburiste, Streeting do të kishte nevojë për mbështetjen e 81 deputetëve për të detyruar një votim nga anëtarët e partisë. Ndërkaq Starmer do të ishte automatikisht kandidat, pa pasur nevojë të kërkonte nominime për vete.

Duke reaguar ndaj një raporti në "The Times" se Streeting po përgatitej të jepte dorëheqjen nga kabineti dhe të niste garën, një zëdhënës i sekretarit të Shëndetësisë i ka thënë gazetës se “Wes është sekretari i Shëndetësisë, ai është krenar për rezultatet e tij në uljen e listave të pritjes dhe rimëkëmbjen e Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS)”.

Starmer deri më tani ka sfiduar thirrjet për dorëheqje nga rreth 90 ligjvënës të Partisë Laburiste, të cilët e fajësojnë atë për humbjet e rënda në zgjedhjet lokale javën e kaluar dhe thonë se ai nuk ka arritur të zbatojë reforma që kur erdhi në pushtet me një fitore dërrmuese në zgjedhjet e vitit 2024.

Kryeministri i cili po lufton për mbijetesën e tij politike, ka premtuar të mërkurën se do të vazhdojë me planet për të reformuar Britaninë dhe ka paralajmëruar për kaos nëse do të rrëzohej.

Pozicioni i Starmerit si kryeministër ka marrë goditje të njëpasnjëshme të martën, pasi ministri i Shëndetësisë, Zubir Ahmed, u bë ministri i katërt i qeverisë që dha dorëheqjen. 

Dorëheqja e parë e ditës erdhi nga ministrja e Komuniteteve, Miatta Fahnbulleh, e cila tha në letrën e saj drejtuar kryeministrit se vendi po kërkonte ndryshim, por “publiku nuk beson se ju mund ta udhëheqni këtë ndryshim - dhe as unë”.

Disa orë më vonë, Jess Phillips njoftoi se po linte rolin e saj si ministre e Mbrojtjes, duke i thënë Starmer se “veprat kanë rëndësi, jo fjalët”.

Alex Davies-Jones shpejt ndoqi shembullin, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit të “veprojë në interes të vendit dhe të caktojë një afat kohor për largimin tuaj”.

Pavarësisht fitores bindëse në zgjedhjet e korrikut 2024, popullariteti i Laburistëve ka rënë dhe Starmer po e merr pjesën më të madhe të fajit.

Arsyet janë të ndryshme, përfshirë disa gabime në politika, mungesën e perceptuar të vizionit, ekonominë e dobët britanike dhe pikëpyetjet mbi gjykimin e tij, veçanërisht lidhur me emërimin e Peter Mandelsonit si ambasador britanik në Uashington, pavarësisht lidhjeve të tij me shkelësin e dënuar seksual, Jeffrey Epstein.

Lexo përditësimet tjera
Keir Starmer

Starmeri vazhdon të këmbëngulë në vazhdimin e qeverisjes

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, i cili po lufton për mbijetesën e tij politike...