Gjykata Supreme ka shfuqizuar pjesërisht një dispozitë të Rregullores së Universitetit të Prishtinës për procedurat e avancimit dhe emërimit të personelit akademik, duke vlerësuar se ajo ishte në kundërshtim me parimet e sigurisë juridike dhe tejkalonte kompetencat ligjore të universitetit.
Vendimi është marrë në kuadër të konfliktit administrativ të iniciuar nga Organizata Joqeveritare Instituti i Kosovës për Drejtësi kundër Universiteti i Prishtinës.
Me aktgjykimin e saj, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 18, paragrafi 7 të Rregullores për Procedurat Përzgjedhëse lidhur me Emërimin, Avancimin dhe Rizgjedhjen e Personelit Akademik.
Kjo dispozitë i jepte Senatit të Universitetit të drejtën që, në çdo moment para vlerësimit përfundimtar të kandidatit, të tërhiqte njohjen e publikimeve në revista ose botues të cilësuar si “të dyshimtë”.
“Gjykata vlerësoi se kjo dispozitë nuk mbështetet në autorizim të mjaftueshëm ligjor apo statutar, tejkalon kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës, si dhe cenon parimet e sigurisë juridike, parashikueshmërisë dhe pritshmërisë legjitime të kandidatëve në procedurat akademike”, thuhet në njoftim.
Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se termat “revista të dyshimta” dhe “botues të dyshimtë” nuk janë të përcaktuara qartë në legjislacionin në fuqi.
Gjykata ka vlerësuar se mungesa e kritereve objektive, procedurave të qarta vendimmarrëse dhe mjeteve juridike mbrojtëse krijonte hapësirë për arbitraritet administrativ.
Edhe
Supremja shfuqizon disa nene të UP-së
Gjykata gjithashtu ka theksuar se vlerësimi i publikimeve shkencore duhet të bëhet bazuar në statusin që revista ka pasur në momentin e publikimit të punimit shkencor. Sipas saj, ndryshimet e mëvonshme në statusin e revistës nuk mund të kenë efekt prapaveprues ndaj kandidatëve, përveç rasteve kur provohet shkelje nga vetë autori.
Ndërkaq, pjesa tjetër e kërkesëpadisë është refuzuar.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se fusnota 16 e rregullores ka karakter vetëm shpjegues dhe jo normativ, prandaj nuk përbën dispozitë juridike të pavarur me efekt detyrues.
-
Përplasje në Senatin e UP-së për “revistën grabitqare”
-
Senati i UP-së i shqipton masa disiplinore Hasanit, ai ankohet për shkelje
-
APK: Rektori i UP-së dhe dekani i Juridikut në konflikt interesi gjatë sanksionimit të Hasanit
-
"Pretendime të pabazuara", Kushtetuesja e shpall të papranueshme kërkesën e KPM-së për Rregulloren e Punës