Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se takimi i sotëm me presidentin amerikan, Donald Trump, është një hap kyç jo vetëm për përfundimin e luftës në Gaza, por edhe për krijimin e kushteve për paqe në të gjithë Lindjen e Mesme.
“E mbështes planin tuaj për t’i dhënë fund luftës në Gaza,” tha Netanyahu, duke iu referuar planit prej 20 pikësh të propozuar nga Trump.
Sipas tij, ky plan do të sigurojë që Izraeli të mos përballet më me kërcënime nga Hamasi.
Ai gjithashtu falënderoi ushtarët izraelitë, të cilët, siç u shpreh, “luftojnë si luanë kundër barbarisë”.
Netanyahu, ka deklaruar se të gjitha pengjet — si të gjalla, ashtu edhe të vdekura — duhet të kthehen brenda 72 orëve.
Ai tha se të gjitha palëve po u jepet mundësia të veprojnë në mënyrë paqësore, por paralajmëroi se nëse Hamasi e refuzon planin, ose nëse supozohet se e pranon por nuk e zbatojnë, “ne do ta përfundojmë punën”.
“Kjo mund të bëhet në mënyrë të lehtë ose në mënyrë të vështirë, por do të bëhet,” tha ai.
Ai theksoi se Autoriteti Palestinez nuk mund të ketë rol në Gaza pa kaluar në një “reformë radikale dhe të sinqertë”.
Kryeministri izraelit shtoi se ky plan paqeje mund të jetë “një fillim i ri” për Gazën dhe gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.
Ai gjithashtu tha se Marrëveshjet e Abrahamit mund të “rilidhen me energji të re” dhe të zgjerohen edhe në vende të tjera arabe dhe myslimane.
