Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se do të dërgojë të dërguarin e tij të posaçëm, Steve Witkoff në Moskë këtë javë, para afatit të tij të vendosur për këtë të premte për përparimin që duhet bërë në përfundimin e luftës në Ukrainë.
Trumpi ka thënë se Witkoff do ta vizitojë Moskën të mërkurën ose të enjten.
Kur është pyetur të dielën se çfarë mesazhi do t'i çonte Ëitkoff Rusisë dhe çfarë mund të bënte Vladimir Putini për të shmangur sanksionet e reja, presidenti amerikan u përgjigj: "Po, arrihet një marrëveshje ku njerëzit ndalojnë së vrari”, raporton The Guardian.
Në Kiev, ka pak pritje që Witkoff të arrijë përparim me Putinin, por ka shpresë se retorika e ndryshuar e Trumpit dhe qëndrimi më i ashpër ndaj Moskës mund të çojnë në një ndryshim të vërtetë në mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën.
Trumpi ka ardhur në detyrë i bindur se mund të bënte një marrëveshje me Putinin, por në javët e fundit duket se është bërë gjithnjë e më i frustruar me veprimet e Rusisë.
Të enjten ai i ka përshkruar sulmet e saj të vazhdueshme ndaj zonave civile në Ukrainë si "të neveritshme" dhe të dielën ka thënë se dy nëndetëse bërthamore që ai urdhëroi të vendoseshin pas kërcënimeve online nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev tani janë "në rajon", pa dhënë detaje të mëtejshme.
Në korrik Trumpi ka dhënë një afat 50-ditor për Rusinë dhe Ukrainën për t'i dhënë fund luftës, por javën e kaluar ai ka thënë se nuk besonte më se Rusia e merrte seriozisht përfundimin e luftës dhe e shkurtoi atë në "10 ose 12" ditë, që më vonë u sqarua se bëhej fjalë për këtë të premte, 8 gusht.
Presidenti amerikan ka deklaruar më parë se masat e reja që ai ka në mendje nëse afati nuk përmbushet mund të përfshijnë "tarifa dytësore" që synojnë partnerët e mbetur tregtarë të Rusisë, siç janë Kina dhe India.