Në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur një prezantim për studentët e “The New School” në New York. Në pyetjet e audiencës lidhur me pezullimin e fillimit të Dialogut Strategjik me SHBA-në, ai u përgjigj se s’mund të heqë dorë prej sundimit të ligjit në veri. Kurti ka thënë po ashtu se SHBA-ja është e përqendruar në largimin e Serbisë nga ndikimi rus, por që kjo pjesë nuk duhet të jetë problem i tij
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe Qeveria që udhëheq nuk mund të bëjnë kompromis me sundimin e ligjit në veri të vendit.
Ai, në një takim me studentë në SHBA, ka thënë se Shtëpia e Bardhë ka pezulluar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovës për shkak të mbylljes së strukturave ilegale serbe në veriun e Kosovës, i banuar me shumicë serbe.
I pyetur nga audienca lidhur me dialogun e planifikuar që prekte fushën e mbrojtjes, energjisë dhe ekonomisë, Kurti është përgjigjur se disa probleme nuk duhet t’u lihen gjeneratave të ardhshme.
“Është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kuadër e strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, ka thënë Kurti.
Kryeministri në detyrë ka theksuar se Kosova do të përfitojë nga projekti i Korporatës së Mijëvjeçarit për bateritë në fushën e ekonomisë dhe se në fushën e mbrojtjes ka pasur bashkëpunim të mirë në blerjen e armëve, porse fusha ku ka ngecur marrëdhënia me SHBA-në është diplomacia.
Ai ka thënë se Kosova nuk duhet ta paguajë çmimin e përpjekjes së SHBA-së për ta tërhequr Serbinë nga ndikimi rus.
“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse, sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, ka thënë Kurti.
Qeveria ka njoftuar po ashtu se kryeministri në detyrë ka marrë pjesë në organizimin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në shënim të ditëlindjes së 85-të të themeluesit të saj, Joseph DioGuardi, të cilin Kurti e ka falënderuar për kontributin dhënë Kosovës.
Në SHBA tash e sa ditë po qëndron edhe presidentja Vjosa Osmani. Ajo të shtunën mbrëma ka marrë pjesë në një panel të organizuar nga fondacioni “Clinton Global Initiative”, i moderuar nga vetë ish-presidenti Bill Clinton.
Clinton ka thënë se shumë njerëz e kanë parë si të çmendur kur ai ka vendosur ta realizonte ndërhyrjen në Kosovë.
“Shumë njerëz mendonin se isha i çmendur kur u përfshiva në Kosovë dhe i thashë që ky do të jetë vendi i vetëm ku lufta moderne fitohet përmes fuqisë ajrore, sepse kosovarët nuk do të tërhiqen kurrë dhe dikur do të bëhet tepër e shtrenjtë për serbët që ta vazhdojnë luftën dhe do të shpëtojmë më shumë jetë në këtë mënyrë. Tashmë ju keni bërë arritje përtej edhe ëndrrave më të çmendura të shumë njerëzve, por ju ishit presidentja më e re”, ka thënë Clinton.
Presidentja Osmani, e cila ka shprehur mirënjohje për presidentin Clinton, ka thënë se Kosova është storie suksesi dhe me të ardhme premtuese, tek ka përmendur që vendi vazhdon të përballet me sfida të sigurisë shkaku i rolit destruktiv të Serbisë.
“Liria edhe sot pas 26 vjetësh nuk duhet të merret si e mirëqenë, sepse e shihni Ukrainën, për 400 vjet iu desh të kalonte nga pushtimi në pushtim dhe tani u duhet ta rifitojnë lirinë e tyre përsëri... Garancia më e mirë e jona është populli ynë që ka qenë gjithmonë forca më e madhe e Kosovës, e kemi popullatën më të re të Evropës, të shkathë nga teknologjia, që flet shumë gjuhë dhe që është brilante... Por sfida, siç e dini mirë ju zotëri president, është ta mirëmbash paqen, jo vetëm ta arrish atë, ta mbash. Ende kemi kërcënim në kufirin verior, sepse çmenduria e Rusisë shkon goxha përtej territorit dhe shteteve që e kufizojnë atë”, ka thënë Osmani.
Në SHBA po qëndron edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka zhvilluar disa takime.