Arbëri

Çitaku: Problemet e Amerikës s’mund të jenë tuat, Albin, edhe sikur të doje ti

Vlora Çitaku

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti. 

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe Qeveria që udhëheq nuk mund të bëjnë kompromis me sundimin e ligjit në veri të vendit.

Ai, në një takim me studentë në SHBA, ka thënë se Shtëpia e Bardhë ka pezulluar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën për shkak të mbylljes së strukturave ilegale serbe në veriun e Kosovës, i banuar me shumicë serbe.

I pyetur nga audienca lidhur me dialogun e planifikuar që prekte fushën e mbrojtjes, energjisë dhe ekonomisë, Kurti është përgjigjur se disa probleme nuk duhet t’u lihen gjeneratave të ardhshme.

“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse, sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore, sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, ka thënë Kurti.

E Çitaku i ka quajtur të “gërditshme” deklaratat e Kurtit. 

“Problemet e Amerikës nuk mund të jenë të tuat, Albin, edhe sikur të doje ti.  A e kupton çfarë gjendje deliri dhe vetëmadhështie duhet për të folur në atë mënyrë? E pastaj të japësh leksione për demokraci e sundim të ligjit… Kushtetutën e keni shkelur me vetëdije dhjetëra herë. Kabineti qeveritar ose është me aktakuza, ose nën hetime. Vetë refuzon të paraqitet në prokurori për aferat multimilionëshe. Dhe megjithatë, flet për rend e ligj. Gërdi!” – ka shkruar Çitaku në Facebook.