Banorët e fshatit Jezerc të Komunës së Ferizajt po i kritikojnë institucionet publike për moszgjidhjen e kontesteve të tyre pronësore për 200 hektarë të cilat ua kishte konfiskuar ish-regjimi serb.
Ata kanë gjetur në arkiva gjithsej 124 vendime të pazbatueshme, të cilat sipas tyre e dëshmojnë se rreth 60 vjet më parë këto prona kanë qenë private.
Por, ato aktualisht figurojnë në emër të Agjencisë Pyjore të Kosovës, e cila
ka nisur t’i japë në shfrytëzim për ndërtim të vilave dhe për zhvillim të bizneseve të tjera.
Banorët kërkojnë që me urgjencë të pezullohet dhënia e tyre në shfrytëzim.
“Disa nga këto prona janë dhënë në shfrytëzim të qytetarëve, të cilët i kanë marrë për arsye të ndryshme për ndërtim të vilave apo diçka tjetër, dhe këto mund të sjellin probleme mes banorëve dhe atyre që i kanë marrë në shfrytëzim. Ne i kemi të gjitha dokumentet të cilat e vërtetojnë se pronat, të cilat ne i pretendojmë janë prona tona, janë të trashëguara brez pas brezi së paku në 3 gjenerata të fundit”, ka deklaruar Fadil Sejdiu, përfaqësues i banorëve të Jezercit.
Njëjtë thotë edhe banori Jakup Bibaj.
“Kërkesa jonë është që këto toka që ne i dimë se janë tonat historikisht, kurse njerëzit që janë duke punuar në agjenci, mos t’i qesin në shitje, sepse mund të vijë deri te një katastrofë, sepse secili pronar nuk e lëshon pronën e vet”, ka shtuar Bibaj.
Ahmet Zejnullahu, shef i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, përmes telefonit, ka sqaruar se pronat publike që figurojnë në menaxhim të këtij institucioni mund t’i japë në shfrytëzim vetëm atyre që i nënshtrohen procedurave administrative dhe kritereve të saj, të cilat varen nga kërkesat.
Ka shtuar se ata që pretendojnë se janë prona të tyre private duhet t’i rregullojnë dokumentet e tyre në Komunë për të mos pasur telashe të tilla.
Drejtori për Pronë dhe Kadastër në Komunën e Ferizajt, Sabri Murseli, e pranon se para se të ndodhë konfiskimi i këtyre pronave, ato kanë qenë private.
“Nuk ekziston asnjë ligj në Kosovë që e rregullon çështjen e pronës së konfiskuar apo të nacionalizuar nga ish- regjimi. Kjo çështje mund të zgjidhet vetëm me një ligj të veçantë nga Kuvendi i Kosovës, kurse sa i përket Komunës në këtë rast nuk ka kompetenca dhe mandat ligjor që të vendosë lidhur me kthimin e këtyre pronave, sepse nuk është titullari i tyre”, ka deklaruar Sabri Murseli, drejtor për Pronë dhe Kadastër në Komunën e Ferizajt.
Sipas tij, Komuna në kuadër të kompetencave ligjore ka të drejtë ta lëshojë vetëm një informatë rreth kësaj çështjeje, ndërkaq pjesa vendimmarrëse për këto prona aktualisht është në kompetencë të Agjencisë Pyjore të Kosovës.