Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se politika shtetërore e Serbisë është mbështetësja më e madhe e destabilizimit në Ballkanin Perëndimor.
Ai i ka reaguar homologut nga Serbia, Bratislav Gashiq, pasi ky i fundit ka folur për kushtet e jetesës së serbëve të Kosovës derisa i ka paraqitur ato si të këqija. Gashiq ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, e ministrin në detyrë të Brendshëm, Xhelal Sveçla, se kanë synim destabilizimin.
Maqedonci ka shtuar se deklaratat e zyrtarëve serbë janë në një frymë me ato të Aleksandër Vuçiqit e Slobodan Millosheviqit.
“Deklarata e Ministrit serb të Mbrojtjes, Gashiq, se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe institucionet tona po ‘sajojnë luftën kundër krimit për qëllime terrori dhe spastrimi etnik’, është një deklaratë në frymën e shefit të tij, Aleksandër Vuçiq, dhe idolit të tyre të përbashkët ideologjik, kryekriminelit Sllobodan Millosheviq”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Maqedonci e ka quajtur hipokrizi akuzën e Gashiqit derisa ka thënë se në Serbi përgatisin parada madhështore ushtarake për të frikësuar fqinjët. Ai i ka quajtur tërësisht të pabaza deklaratat e Gashiqit, duke theksuar se Kosova vepron ligjshëm brenda kufijve shtetërorë.
“Kur flasim për krimin dhe destabilizimin, i kujtojmë Ministrit Gashiq se politika shtetërore e Serbisë mbetet gjeneratorja dhe mbështetësja më e madhe dhe më e rrezikshme e destabilizimit dhe krimit në Ballkanin Perëndimor. Përmes një lufte hibride — që përfshin kërcënimin konvencional përmes militarizimit të zonave përreth Kosovës, mbështetjen dhe strehimin e grupeve terroriste të udhëhequra nga krimineli Millan Radoiçiq, fushatave të dezinformimit dhe lajmeve të rreme, luftës diplomatike dhe sponsorizimit të akteve të sabotazhit — strukturat politike dhe të sigurisë në Serbi synojnë destabilizimin e qëllimshëm të Republikës së Kosovës, si dhe minimin e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së saj”, ka shkruar ai.
Maqedonci ka paraqitur dy masa që sipas tij Serbia duhet t’i ndërmarrë për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Evropën Juglindore.
“Për një paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në Evropën Juglindore, janë dy masa thelbësore: së pari, de-hegjemonizimi i politikës serbe, e cila ende sillet me logjikën e dominimit ndaj fqinjëve; dhe së dyti, dekriminalizimi i ushtrisë serbe, e cila në pozitat më të larta vazhdon të ketë komandantë të përfshirë në krime gjatë luftërave të viteve ’90. Kjo përfshin edhe Shefin aktual të Shtabit të Ushtrisë së Serbisë, Gjeneral Mojsiloviq, i cili gjatë luftës në Kosovë ka komanduar operacionet ushtarake serbe në regjionin e Ferizajt. Dekriminalizimi i ushtrisë serbe është i domosdoshëm, sepse përderisa për Serbinë e Millosheviqit lufta ishte zgjedhje, për popujt tjerë të ish-Jugosllavisë ajo ishte një detyrim mbijetese”, ka përfunduar ai.