LAJMET E MBRËMJES

Anëtari i LDK-së kritikon KQZ-në, ai i LVV-së Qeverinë, rreth fondit shtesë për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror Zgjedhor ka aprovuar ridestinimin e mjeteve që ka në dispozicion, me qëllim të realizimit të aktiviteteve me prioritet për zgjedhjet lokale. Këtë e ka bërë në mungesë të përgjigjes nga Qeveria për buxhet shtesë. E, në debatin për buxhetin, anëtari i LDK-së ka kritikuar KQZ-në për kërkesë megalomane, kurse anëtari i LVV-së e ka kritikuar edhe Qeverinë

Në mungesë të përgjigjes nga Qeveria për ndarje të buxhetit shtesë për organizimin e zgjedhjeve lokale, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka vendosur që mjetet të cilat i ka në dispozicion t’i përdorë në aktivitetet që i ka me prioritet. 

Sipas rekomandimit të Sekretariatit të KQZ-së, dokument të cilin e ka parë KOHA, rreth 1 milion e 877 mijë euro nga buxheti aktual mund të shpërndahen në realizimin e aktiviteteve, për të cilat është kërkuar buxheti shtesë. Nga këto mjete shpërndarja është rekomanduar të bëhet në disa kategori, përfshirë shërbimet postare, dërgimin jashtë Evropës e kthimin në Kosovë të materialit zgjedhor, furnizimin me materiale për votim jashtë Kosovës, shërbimet e pajisjeve me qira, furnizimin me materialet administrative për zyrat e KQZ-së, projekte për organizimin e trajnimeve, mbështetje logjistike për Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) dhe për atë të Numërimit dhe Rezultateve (QNR). 

“Bazuar në analizën e mësipërme, rezulton se pas vlerësimit të mjeteve që mund të kursehen, të njëjtat janë të mjaftueshme për përmbushjen e aktiviteteve të reja apo që u kanë ndryshuar (rritur) shuma”, thuhet në dokumentin e Sekretariatit dërguar KQZ-së. “Duke marrë parasysh rekomandimet e komisionit për vlerësim dhe tjetërsim të pasurisë, ku do të largohen nga përdorimi 6 vetura të blera në vitin 2004, është e nevojshme që zëvendësohen me vetura të reja. Krahas planifikimit prej 134,900.00 eurosh, të cilat janë të planifikuara, Sekretariati rekomandon bartjen e mjeteve në vlerë prej 95,500.00 eurosh nga projekti kapital ‘Renovimi i objektit te aneksit të KQZ-së në aktivitetin furnizim me vetura’”.

Për organizimin e zgjedhjeve të 12 tetorit, KQZ-ja i pati kërkuar Qeverisë buxhet shtesë prej 6 milionë e 468 mijë e 412 eurosh. 

E në mungesë të përgjigjes për këtë kërkesë, ridestinimi i përcaktuar i mjeteve në dispozicion është përcjellë me debat në mes të anëtarëve të KQZ-së, në mbledhjen e së mërkurës.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lidhjes Demokratike (LDK), Sami Hamiti, ka kritikuar Sekretariatin për kërkesë megalomane adresuar Qeverisë dhe për mungesë të një analize. 

“Duhesh me ditë që nuk ka qenë reale drejtor, duhesh me ndërmarrë masa. Nuk mundet ty një anëtar i KQZ-së që është, i vendos me i pas e me i ditë rrjedhat nëpër kode buxhetore dhe nënkode buxhetore. Kemi ardhur në një situatë që po më duket qesharake”, ka thënë ai. “Edhe ne si institucion, këtë radhë u.d. i drejtorit e kanë marrë edhe e kanë bërë një rishikim të ri, nga i cili del që Sekretariati, në rastin e parë, nuk ka bërë fare analizë. Po e shihni që drejtori po e aprovon. Do me thënë analiza ka qenë shumë e dobët, analizë me të cilën juve ju dalin mjete këtë anë vetëm mallra dhe shërbime që janë pa analizë”.

Por anëtari nga radhët e Partisë Demokratike (PDK), Ilir Gashi, e ka mbrojtur kërkesën për buxhet shtesë.

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të mbajtur të mërkurën, anëtari i AAK-së, Muharrem Nitaj, tha se projeksioni fillestar buxhetor ka qenë ndryshe, e në bazë të planifikimeve kanë miratuar edhe rregulloren e re për realizimin e votimit jashtë Kosovës. 

“Unë nuk i kontestoj analizat e tyre për shembull për ridestimim e mjeteve në shtylla të caktuara por konsideroj që nuk ka qenë punë e realizuar siç duhet e Komisionit për Financa. Tani kemi ardhur në situatë që pavarësisht që nuk kemi një epilog të kësaj kërkese, ne të bëjmë kërkesa të reja në adresë të Qeverisë. E konsideroj shkelje nga departamenti i Financave dhe meqë është kështu unë nuk do të votoj për rishikim të buxhetit”.

“Ky buxhet edhe kjo kërkesë që ka shkuar në Qeveri, ka shkuar përmes Këshillit të Buxhetit që është trajtuar pikë e për presje, edhe e ka marrë miratimin e komplet këtij institucioni, edhe ka shkuar në Qeveri si kërkesë. Kërkesa është mbi 6 milionë euro. 6 milionë euro ia keni huqur në kërkesë a? Këtu duhet të japë dikush përgjegjësi, pra. Duke filluar prej neve, këtu. Nuk ka mundësi me ia huqë 6 milionë euro”, është shprehur ai.

E, kritik ndaj Qeverisë për mospërgjigjen ndaj kërkesës së KQZ-së është treguar Sami Kurteshi, i cili është anëtar i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), parti në pushtet. 

“Ne kemi lypë pak si tepër... vetë fakti që ne kemi qenë në gjendje t’i gjejmë gati 2 milionë prej mjeteve tona tregon se kemi qenë të pakujdesshëm. A kjo mospërgjigjja në kërkesa, ftesa, mua më vjen shumë keq që qeveria nuk u përgjigj, edhe shumë keq ka bërë”, ka thënë ai.

Nga buxheti i shtetit për këtë vit, KQZ-së për zgjedhje i janë ndarë rreth 15.5 milionë euro, prej të cilave rreth 9 milionë e 600 mijë i ka të pashpenzuara. Kërkesa për buxhet shtesë prej 6.5 milionë eurove, sipas KQZ-së, është bërë me qëllim të realizimit të aktiviteteve e operacioneve, të dala nga analizimi i ecurisë së procesit zgjedhor të 9 shkurtit. 

Kërkesa e KQZ-së nuk ka marrë përgjigje nga Qeveria qëkur është adresuar në mes të muajit qershor.