Arbëri

Agjencia Kosovare e Pronës demanton deklaratën e Petkoviqit për një pronë në veri

Mitrovica e Veriut

Foto: Arkiv

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP) ka kundërshtuar deklaratat e shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, lidhur me një pronë në veri. 

Në një reagim dërguar mediave Agjencia i ka quajtur të pavërteta deklaratat e Petkoviqit, duke i konsideruar ato përpjekje të rrezikshme për politizim dhe dezinformim.

Petkoviq të mërkurën në një status në rrjetin social X ka shkruar se me urdhër të Agjencisë një familje e komunitetit serb është dëbuar nga një banesë në Mitrovicë të Veriut. Ai ka thënë se familja e kishte blerë pronën në mënyrë të ligjshme dhe se i është marrë padrejtësisht. 

Petkoviq e ka quajtur këtë terror të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj komunitetit serb. 

Sipas Agjencisë rasti në fjalë, që thuhet se përfshin pronën e familjes së Ferki Shipollit, është trajtuar që në vitin 2005, ku thuhet se është vërtetuar se pala është poseduese e ligjshme e pronës. 

“AKKVP zbaton vendime përfundimtare të institucioneve ligjore në përputhje me mandatin dhe kornizën ligjore në fuqi. Rikthimi i pronës bëhet përmes procedurave të rregullta ligjore dhe zbatohet ndaj çdo uzurpimi të paligjshëm, pavarësisht përkatësisë etnike apo statusit të palës. Deklaratat e tilla si kjo e Petar Petkoviqit janë të papranueshme sepse nxisin tensione dhe minojnë sundimin e ligjit dhe bashkëjetesën. AKKVP mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të drejtë, të barabartë dhe ligjor të mandatit të saj”, thuhet në reagim.