Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se mandati i deputetëve do të vihet në pikëpyetje nëse nuk e respektojnë afatin për konstituimin e Kuvendit. Deputetët kanë afat deri më 26 korrik ta konstituojnë Kuvendin, sipas aktgjykimit që ka dhënë Gjykata Kushtetuese.
“Këta 120 deputetë nëse nuk e përmbushin aktin kushtetues të kosntituimit për 30 ditë, nuk e përmbushin mandatin legjitim për çka janë zgjedhur. Mandatet e këtyre deputetëve pas datës 26 korrik vihen në pikëpyetje”, ka thënë ai në “Interaktiv”.
Bugaqku ka thënë tutje se Gjykata Kushtetuese mund të lëshojë një masë të përkohshme që e pezullon afatin e vendosur dhe që nuk do të kishte më seanca çdo 48 orë – siç ka kërkuar presidentja. Megjithatë, sipas tij, kërkesa e presidentes drejtuar Kushtetueses mund të marrë shumë kohë.
“Mund të ketë masë të përkohshme dhe kjo masë e pezullon efektin e tërësishëm të afatit dhe të kosntituimit deri të vendosë Gjykata, s’do të ketë as seanca. Për më tepër nuk përcaktohet se kur Gjykata Kushtetuese nxjerr vendim për këtë çështje. Për situatë kur presidentja kërkon interpretim mbi konfliktin e kompetencës, nuk ka afat se kur Gjyakta nxjerr vendim. Potencialisht kjo mund të marrë kohë, së paku 60 ditë ose më gjatë. Kjo kërkesë i shërben partive që të ndihen komode dhe të marrin pak kohë”, ka potencuar ai.
Instituti Demokratik i Kosovës të mërkurën ka vlerësuar se kërkesa e presidentes për interpretim nga Gjykata Kushtetuese, e paraqitur vetëm pak ditë para përfundimit të afatit 30-ditor për konstituim të Kuvendit, ngre disa dilema. KDI-ja ka theksuar se posaçërisht pyetja e parashtruar në kërkesë se “çfarë ndodh pas 30 ditësh”, është çështje që ka mundur të sqarohej menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit në mënyrë që të sigurohej qartësi mbi pasojat juridike të monskonstituimit.
“Fillimisht, është e paqartë se ku qëndron pretendimi për ‘konflikt të kompetencave’ mes Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë në këtë moment, përderisa afati ende nuk ka përfunduar, dhe Kuvendi ka ende hapësirë për të përmbushur detyrimin e tij për konstituim. Në këtë kuptim, kërkesa duket se paragjykon rezultatin e ditëve të mbetura dhe dobëson pritshmërinë që deputetët ta përmbushin përgjegjësinë e tyre”, thuhet në komunikatën e Institutit.