Lideri liberal centrist Rob Jetten ka shpallur fitoren në zgjedhjet e tensionuara të së mërkurës në Holandë, pasi rezultatet treguan se partia e tij nuk mund të mposhtet më nga populisti kundër islamit, Geert Wilders.
Partia e Jettenit, D66, ka një epërsi të vogël prej rreth 15.000 votash ndaj Partisë së Lirisë të Wildersit. Agjencia holandeze e lajmeve ANP ka raportuar se, edhe pse numërimi i votave nuk ka përfunduar plotësisht, Wilders nuk mund ta fitojë më garën.
“Ne jemi partia më e madhe në Holandë! Tani do të punojmë për të gjithë qytetarët holandezë”, ka shkruar Jetten në rrjetin X (ish-Twitter).
Wilders ka reaguar duke thënë se vetëm këshilli zgjedhor, dhe jo një agjenci lajmesh, mund të shpallë fituesin. “Sa arrogancë të mos presësh rezultatin zyrtar”, është shprehur ai.
Sipas projeksioneve, me rreth 99% të votave të numëruara, të dyja partitë kanë fituar nga 26 vende në parlamentin prej 150 vendesh, por ANP-ja ka thënë se D66 mund të marrë edhe një vend shtesë, duke ia dhënë Jettenit fitoren.
Jetten, 38 vjeç, u shpreh se ishte “shumë krenar për këtë rezultat historik” dhe ndien përgjegjësi të madhe për të formuar një qeveri të qëndrueshme e ambicioze.
Edhe pse Wilders kryesonte sondazhet para zgjedhjeve, Jetten arriti fitore në qytete të mëdha si Roterdam, Haga dhe Utrecht, me një fushatë pozitive që përdori moton “Po, ne mundemi”.
Asnjëherë më parë një garë zgjedhore në Holandë nuk kishte qenë kaq e ngushtë. Nëse Jetten bëhet kryeministër, ai do të jetë më i riu në historinë e vendit.
ANP ka deklaruar se bazuar në votat postare të dërguara nga jashtë vendit, Jetten tani mund të shpallet fitues.
Wilders ka paralajmëruar se edhe nëse D66 del partia më e madhe, partia e tij nuk do ta lejojë “Jetten dhe njerëzit e tij ta shkatërrojnë Holandën”.
Jetten ka thënë se rezultati i tregoi Evropës dhe botës se është e mundur të mposhtësh lëvizjet populiste me një fushatë pozitive dhe përfshirëse.
Sistemi zgjedhor holandez bazohet në përfaqësim proporcional - pra, sa më shumë vota të marrë një parti, aq më shumë vende fiton në parlament.
Deri tani, D66 ka marrë 16.9% të votave, ndërsa partia e Wildersit 16.7%. Gara ka qenë shumë e ngushtë, me epërsinë që ndryshonte disa herë gjatë numërimit.
Megjithatë, formimi i qeverisë nuk do të jetë i lehtë. Jetten do të ketë nevojë për mbështetjen e të paktën tri partive të tjera për të arritur shumicën prej 76 vendesh. Partnerët më të mundshëm mund të jenë partia liberale konservatore VVD, aleanca e të majtëve Laburistët (PvdA) dhe të Gjelbrit (GreenLeft), si dhe Demokristianët. Por negociatat mund të zgjasin me muaj.
Udhëheqësja e VVD-së, Dilan Yesilgöz, ka thënë se nuk dëshiron të punojë me të majtën, por Jetten është shprehur se dëshiron një qeveri të gjerë që përfaqëson qendrën politike të vendit.
Jetten deklaroi se dëshiron të ndërtojë një qeveri që përfaqëson më së miri të gjithë votuesit, për të zgjidhur çështje kryesore si mungesa e banesave dhe politikat e azilit dhe migracionit.
Rruga e tij drejt fitores ka habitur shumë vëzhgues. Më pak se dy vjet më parë, Rob Jetten udhëhiqte partinë D66, e themeluar në vitin 1966 nga reformatorë demokratikë dhe arriti vetëm vendin e pestë me nëntë vende në parlament.
Vetëm disa javë më parë, partia e tij ishte ende shumë poshtë në sondazhe. Por me kalimin e kohës, Jetten fitoi mbështetje, falë paraqitjeve të mira dhe të qeta në debatet televizive. Ai madje mori pjesë edhe në finalen e një kuizi televiziv vetëm 11 ditë para zgjedhjeve, gjë që e bëri më të njohur te publiku.
Kryeministri në detyrë, Dick Schoof, parashikoi të premten se formimi i koalicionit nga Jetten do të jetë proces i ndërlikuar. “Mendoj se do të jem ende kryeministër për Krishtlindje - do të habitem nëse ai arrin ta formojë qeverinë deri atëherë”, ka deklaruar ai me humor.
Schoof, ish-drejtor i shërbimeve sekrete holandeze, u zgjodh kryeministër nga Geert Wilders, pasi ky hoqi dorë nga përpjekja për ta udhëhequr vetë vendin. Partnerët e tij të mundshëm të koalicionit nuk pranuan të mbështesnin një kryeministër nga e djathta ekstreme.
Wilders kishte fituar zgjedhjet e mëparshme në nëntor 2023, dhe qeveria e tij u formua vetëm në korrik 2024. Vetëm njëmbëdhjetë muaj më vonë, ai e rrëzoi vetë qeverinë e tij, pas një konflikti me partnerët e koalicionit për politikat e azilit dhe migracionit.