Futboll

Talentet shqiptarë nuk mungojnë në Botërorin U17 në Katar

Talentet shqiptarë nuk mungojnë në Botërorin U17 në Katar

Prej të hënës deri më 27 nëntor në Katar mbahet Kampionati Botëror për futbollistët deri në 17 vjet.

Paraqiten 48 përfaqësuese nga gjashtë konfederata të ndryshme. Aktualisht Kosova e Shqipëria janë larg ngjarjes globale në grupmosha të reja. Por futbollistët shqiptarë megjithatë nuk mungojnë në këtë Botëror.

Ashtu si pritet, më së shumti talente shqiptarë ka te Zvicra. Bëhet fjalë për katër gjithsej. Erblin Sadikaj, Miran Sinani, Nico Lazri dhe Leonit Ibraimov do të luajnë për Zvicrën në këtë Botëror.

Të gjithë vlerësohen shumë të talentuar.

Sadikaj është te Luzerni prej vitit 2019. Më herët është zhvilluar te skuadra Rotkreuz. Është mbrojtës.  Në mbrojtje luan edhe Miran Sinani, që është pjesë e Baselit prej vitit 2022. Edhe Nico Lazri është te Luzerni, ndërsa luan mesfushor ofanziv. Ky talent deri në vitin 2022 ishte te Kriensi. Për Zvicrën tashmë i ka dhjetë ndeshje e një gol.

Në mesfushën e Zvicrës paraqitet edhe Leonit Ibraimov, që po zhvillohet te St. Galleni. Ky 17-vjeçar tashmë ka debutuar në Superligën e Zvicrës. Luajti ndaj Grasshopperit më 22 maj.

Hasan Deshishku e prezanton Austrinë në Botëror, sipas listës së publikuar nga FIFA. 17-vjeçari Deshishku po zhvillohet tek Austria e Vjenës. Luan sulmues i krahut të djathtë. Për Austrinë U17, Deshishku i ka 11 gola e tri ndeshje.

Për Gjermaninë në Botërorin U17 do të paraqitet Christian Prenaj. 17-vjeçari, që luan mesfushor ofanziv, i ka gjashtë paraqitje për Gjermaninë U17. Ai po zhvillohet te Frankfurti, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2027. Fakti që është përzgjedhur për Botëror, dëshmon për talentin që Prenaj ka.

Në Zvicër e Gjermani, por edhe në Austri e vende tjera evropiane, vazhdojnë të rriten futbollistë të talentuar shqiptarë. Prej tyre në të ardhmen mund të përfitojnë edhe Kosova e Shqipëria. Vetëm në dy muajt e fundit te Kosova kanë ardhur lojtarë si Leon Avdullahu, Albian Hajdari e Veldin Hoxha, të rritur në vende të tjera, përkatësisht në Zvicër e Kroaci. Dhe ardhja e tyre ka bërë që niveli i Kosovës të rritet.