Sulmuesi Rilind Nivokazi është golashënuesi më i mirë deri më tani te skuadra e Sionit.
Nivokazi ka shënuar pesë gola dhe ka bërë një asistim në 11 ndeshjet e zhvilluara këtë edicion në Superligën e Zvicrës.
Sulmuesi kosovar shënoi gol pas një muaji, kur të martën gjeti cakun ndaj St. Gallenit. Ai shënoi dy gola në fitoren 3:2 të Sionit ndaj St. Gallenit.
Së fundi trajneri i Sionit, Didier Tholot, ka dhënë lëvdata për 25-vjeçarin.
“Një lojtar si ai nuk e lë jashtë ekipit edhe nëse nuk shënon pavarësisht rasteve”, është shprehur Tholot, shkruan të premten “Blick”.
Te skuadra e Sionit luajnë edhe disa futbollistë kosovarë si Kreshnik Hajrizi, Benjamin Kololli dhe Donat Rrudhani.
Sioni të shtunën nga ora 18:00 e luan ndeshjen e ardhshme në elitën zvicerane ndaj Thunit.
Sionit do t’i mungojë Hajrizi i cili është i suspenduar dhe Kololli për shkak të lëndimit.