Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Zhegrova po shkëlqen te Juve, gjen formën para ndeshjes vendimtare të Kosovës

zheg

Për ndeshjen e dytë rresht, hyrja e Edon Zhegrovës ndryshoi plotësisht lojën e Juventusit. Derisa ndaj Galatasarayt mesjavën e kaluar kontributi i Zhegrovës nuk ishte i  mjaftueshëm, të dielën Juve nxori një pikë në ndeshjen kampionale ndaj Romës.

Luciano Spalletti e aktivizoi kosovarin në minutën e 72-të, kur Juventusi po pësonte 3:1 në Romë. Dhe sulmuesi i krahut mori pjesë në dy aksionet që sollën barazimin 3:3 për skuadrën nga Torino. Goli i Jeremie Bogas në minutën e 78-të dhe ai i Federico Gattit në minutën e 93-të u shënuan pas krosimeve të Zhegrovës. Ai u vlerësua për paraqitjen.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë muajit shkurt ylli kosovar nuk u aktivizua fare në tri ndeshje rresht, ndaj Interit, ndaj Galtasarayt në udhëtim dhe ndaj Comos. Juve i humbi të tri ato ndeshje. Dhe të dielën mori pikë të vlefshme në udhëtimin e vështirë në Romë.

“Ka shpërthime entuziazmi të krijuara nga momentet e cilësisë. Boga ka intuitë dhe mund të krijojë situata nga asgjë, ashtu si Kenan Yildiz dhe Zhegrova. Duhet gjithmonë të kemi besim në sport dhe në jetë”, ka thënë Spalletti pas ndeshjes.

Paraqitja e Zhegrovës është vlerësuar edhe nga Tuttosport, mediumi i afërt me Juven.

“Shkëlqimi i tij çoi në ngushtimin e rezultatit në 3:2. Goditja e tij e dënimit solli golin e barazimit 3:3. Ai e kapërceu shpejt zhgënjimin e humbjes së golit në Ligën e Kampionëve. Spalletti veproi mirë”, ka shkruar Tuttosport.

Forma e fundit e Zhegrovës i gëzon edhe tifozët e Kosovës, në fillim të muajit më të rëndësishëm për "Dardanët deri më tani.

Kosova më 26 mars luan me Sllovakinë në Bratislavë, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Ndonëse në ndeshjet e kaluara nuk ishte startues, Zhegrova mbetet "armë e rëndësishme" për selektorin Franco Foda.

Nëse vazhdon me ecurinë e dy ndeshjeve të fundit, Zhegrova mund t'i shkaktojë kokëdhembje selektorit Foda për ta caktuar formacionin startues.