Leo Sauer është prej lojtarëve më perspektiv në përfaqësuesen e Sllovakisë në futboll. Ai po paraqitet me sukses te Feyenoordi në Holandë, ndërsa në fundjavë shënoi gol.
Ndonëse 20-vjeçar, Sauer ka tashmë dhjetë ndeshje për Sllovakinë. Ka luajtur në të gjitha gjashtë ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Sulmuesi i krahut të majtë pritet të startojë më 26 mars në ndeshjen Sllovaki – Kosovë. Gjysmëfinalja e plejofit për kualifikim në Botëror zhvillohet në Bratislavë.
Kosova nuk është kundërshtare e njohur për sllovakun e ri. Por ai megjithatë, e di që Kosova ka cilësi.
“Do të jem i sinqert, nuk di shumë për këtë kundërshtare. Nuk e kam parë asnjëherë duke luajtur. Por Kosova e ka mposhtur Suedinë dhe të gjithë thonë se kemi kundërshtare të vështirë. Kështu që duhet të përgatitemi mirë”, ka thënë Sauer për faqen zyrtare të federatës sllovake.
Te Sllovakia, njëjtë si te Kosova, ëndërrojnë kualifikimin në Botëror. Në finale të plejofit, që jep biletën për Botëror, Kosova apo Sllovakia do të takohen në shtëpi me Turqinë apo Rumaninë.
“Pjesëmarrja në Kupën e Botës do të thoshte shumë për mua. Tashmë kam shijuar Evropianin dhe kam pasur përvojë dhe kujtime të mahnitshme. Avancimi në Botëror është ndoshta gjëja më e madhe që mund të arrish me ekipin nacional. Do të ishte ngjarje e madhe, gjë e madhe për Sllovakinë nëse kualifikohemi në Botëror”, ka theksuar Leo Sauer.
Për shkak të përvojës dhe sidomos për faktin që luan në shtëpi, Sllovakia vlerësohet favorite për ndeshjen e 26 marsit. Por Kosova ka pasur kampanjë shumë të mirë kualifikuese, ndërsa tashmë ka lojtarë të shumtë në top-ligat evropiane. Dhe optimizmi te “Dardanët” për sukses në gjysmëfinale dhe finale të plejofit është i madh.
Kualifikimi në Kampionat Botëror do të ishte sukses i jashtëzakonshëm për të përzgjedhurit e Franco Fodas. Botëror mbahet në verë në SHBA, Kanada e Meksikë.