Futboll

Xhaka: Pika ndaj Aston Villas është e merituar

xhaka

Mesfushori Granit Xhaka e konsideron të merituar pikën që Sunderlandi e fitoi ndaj Aston Villas.

Edhe pse nga pjesa e parë luajti me një futbollist më pak në fushë, Sunderlandi arriti që të barazojë në shtëpi 1:1 me Villan. Kjo ndeshje u luajt të dielën dhe i takoi xhiros së pestë të Premier Leagues.

Xhaka bëri asistim të bukur me kokë për Wilson Isidorin i cili i realizoi golin e barazimit.

“Që nga minuta e parë e dinim që ndeshja do të ishte shumë emocionuese. Sigurisht, kartoni i kuq ndryshoi planet që kishim, por në fund besoj se një pikë është më se e merituar. Në fund, morëm atë që meritonim. Ndonjëherë me dhjetë lojtarë është edhe më e vështirë për kundërshtarët”, ka thënë Xhaka për faqen zyrtare të Sunderlandit.

32-vjeçari Xhaka në pesë ndeshjet e zhvilluara ka dy asistime. Ai është kapiten i Sunderlandit dhe po shquhet me paraqitje.