Futboll

Xhaka paralajmëron Zvicrën për duelin e vështirë ndaj Suedisë

granit xhaka

Superekipi i Suedisë, me yjet e Premier Leagues si Gyokeres, Elanga dhe Isak, është spektakël. Por, treshja që kushton 273 milionë euro, deri tani ka dëshpëruar në kampanjën kualifikuese të Kupës së Botës. Pavarësisht kësaj, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka kërkuar kujdes

50 për qind e vlerës së shtuar në Përfaqësuesen e Suedisë mbështetet në një treshe, atë të Arsenalit, Newcastlet dhe Liverpoolit, që shpenzuan 273 milionë euro për tre sulmues, Viktor Gyokeres, Anthony Elanga dhe Alexander Isak.

“Svenska Fotbollforbundet” ka shpresa të mëdha për triumf. Superyjet e Premier Leagues pritet ta kthejnë përfaqësuesen skandinave në qendër të vëmendjes, pasi munguan në dy ndeshje.

Suedezët kanë nisur të përjetojnë komplikime në kampanjën kualifikuese për Kupën e Botës pas barazimit 2:2 me Slloveninë dhe humbjes 2:0 me Kosovën, pavarësisht pritjeve të larta që kishin fillimisht. Gyokeres me shokë dëshpëruan dhe janë përballur me kritika të shumta.

“Suedia është krejtësisht qesharake”, ka qenë njëri prej titujve kritikues, i dhënë nga mediumi “Dagens Nyheter”.

Xhaka e di: Duhet zgjuarsi

Por kapiteni i Përfaqësueses së Zvicrës nuk i gëzohet atmosferës së zymtë që e ka përfshirë përfaqësuesen suedeze të futbollit.

“Suedia nuk kishte start të mirë të cilin të gjithë, përfshirë edhe lojtarët, e kanë pritur. Por nëse e studion ekipin, kualiteti është pa dyshim aty”, ka bërë të ditur Granit Xhaka për “Blick”, para ndeshjes vendimtare me Suedinë.

“Do të kemi ndeshje shumë të vështirë në udhëtim dhe në sfidën e jashtëzakonshme që është duke na pritur”.

Ndeshja Suedia – Zvicra luhet të premten nga ora 20:45 në stadiumin “Straberry Arena”, në Solna.

Zvicra ka gjashtë pikë në Grupin B në vendin e parë pas dy ndeshjeve. Tri pikë i ka Kosova në pozitën e dytë, ndërsa Suedia e Sllovenia kanë nga një pikë.

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, e di nga eksperienca e tij se çfarë është të luash ndaj sulmuesve të nivelit të lartë.

“Gjithmonë e ke njërin sy në ta. Ata janë sulmues që nuk i sheh për kohë të gjatë, por shfaqen brenda momentit”.

Një prej lojtarëve të tillë është Viktor Gyokeres. Ai vendosi rekorde të reja në Lisbonë teksa luante për Sportingun. Më pas iu bashkua Arsenalit, pasi i shënoi 125 gola në 102 paraqitje. Ish-kapiteni i Arsenalit është i vetëdijshëm për rëndësinë e ndeshjes. “E dimë se duhet të luajmë me mençuri”.

Van der Gaag për Elangan: Hapësirë dhe shpejtësi

Anthony Elanga, partneri i Gyokeresit gjatë kampanjës hapëse në Lubjanë dhe Prishtinë, është gati për paraqitje të shkëlqyera në çdo kohë. Pas dy vjetëve të jashtëzakonshëm në Nottingham, ai fitoi kontratë milionëshe me kandidatin për Premier League, Newcastle.

Trajneri i Zurichut, Mitchell va nder Gaag, e njeh Elangan nga koha te Manchester Unitedi. “E kam njohur atë si të ri, kërkues për të mësuar, lojtar ekipor. Ai gjithmonë i dëgjonte trajnerët dhe është përmirësuar”. Por transferimi milionësh ka ndikuar në të. Elanga i shfaqi aftësitë e tij te Nottinghami.

“Rrezikshmëria më e madhe e Anthonyt është shpejtësia në hapësirë. Ai i ka të kombinuar shpejtësinë me aftësinë teknike. Qëkur u ambientua në Angli, ai ka luajtur me vetëbesimin e duhur”.

Takimi i Favres me Isakun

Lojtari i tretë suedez është dikush që u transferua te kampioni, Liverpooli. Ai është Alexander Isak. “Të kuqtë” e transferuan nga Newcastle për rekordin e 145 milionë eurove në verë. Ish-bashkëlojtari i Fabian Scharit shkëlqeu në Angli, duke shënuar 62 gola në 109 ndeshje. Por te Liverpooli gjërat nuk kanë shkuar si duhet. Një gol në gjashtë ndeshje – dhe atë në Kupën e Ligës. Edhe në moshën 18-vjeçare, Isak e ka mahnitur Lucien Favren. “Ai kishte diçka që mund ta vëreje menjëherë. Eleganca e tij me topin, lëvizjet, koordinimi – jashtëzakonisht i mirë”.

Zvicerani e mori atë në Dortmund në verën e vitit 2018.

Por te Dortmundi ai kishte konkurrencë të madhe: dy fituesit e Kupës së Botës, Mario Gotzen dhe Andre Schurrlen, si dhe Marco Reusin, Christian Pulisicin dhe Jadon Sanchon.

Kështu që nuk kishte hapësirë për Isakun që u huazua te Willem II në Eredivisie. Ai pati 12 gola në po aq ndeshje në Holandë. Pasoi kontrata pesëvjeçare nga Real Sociedadi – dhe tani kulmi në Angli.

Një ndeshje në shtator do të ishte më mirë

Isak, Gyokeres, Elanga - të gjithë duhet të ndalen. “Do të preferoja të luaja kundër tyre në shtator”, pranon Yakini menjëherë, pasi Isaku në veçanti, nuk kishte përgatitje para transferimit te Liverpooli.

Megjithatë, selektori i përfaqësueses nuk është i shqetësuar, pasi ekipi i tij, me Muriqin e Kosovës dhe Sheshkon e Sllovenisë, tashmë kanë luajtur me lojtarë të profilit të ngjashëm në shtator dhe lojtarët e njohin njëri-tjetrin. “Në fund të fundit, ne duhet ta kemi panoramën e qartë dhe të jemi të vetëdijshëm se kemi lojtarë të mirë nga mbrojtja deri në sulm”, ka thënë Yakin.