Stadiumi “Metropolitano” do të jetë arenë e derbit të madh, Atletico Madrid – Real Madrid. Dy skuadrat nga kryeqendra spanjolle do të përballen për herë të parë këtë edicion.
Derbi i xhiros së shtatë të La Ligas zhvillohet të shtunën nga ora 16:15.
Të dy skuadrat paraqiten pas fitoreve që i arritën në mesjavë.
Atletico të mërkurën në shtëpi e mposhti Rayo Vallecanon me rezultatin 3:2, falë “hat-trickut” të realizuar nga sulmuesi Julian Alvarez.
Reali të martën në udhëtim fitoi 4:1 ndaj Levantes.
Reali ka gjashtë fitore radhazi dhe është lider me 18 pikë. Atletico nuk e ka nisur mbarë edicionin, por u kthye ndërkohë. Ka një humbje, tri barazime dhe dy fitore. Renditet në pozitën e tetë me nëntë pikë.
Tek Atletico do të mungojnë Jose Gimenez dhe Thiago Almada që janë të lënduar. Johnny Cardoso është në dyshim.
Edhe Reali do të ketë mungesa. Trent Alexander-Arnold dhe Antonio Rudiger do të mungojnë, kurse në dyshim është Ferland Mendy.
Tri ndeshjet e fundit mes dy skuadrave në kampionat kanë përfunduar baras, 1:1.
Legjenda e Realit, Cristiano Ronaldo, është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në derbin e Madridit me 22 gola.
Klubi mbretëror nuk e ka mposhtur Atleticon në La Liga që nga 19 shtatori i vitit 2022. Atletico ka humbur vetëm një nga shtatë derbit e fundit të kryeqytetit.
Kampionia në fuqi e Spanjës, Barcelona, të dielën nga ora 18:30 e pret Real Sociedadin.
Barça të enjten e mposhti 3:1 në udhëtim Real Oviedon.
Barça ka 16 pikë në pozitën e dytë. Skuadra e Hansi Flick e pret gabimin e Real Madridit me shpresë për të dalë në vendin e parë.