Futboll

Udhëtoi 8800 kilometra për ndeshjen e Premier Leagues, por bileta e blerë 900 funte nuk ishte e vlefshme

bileta

Për disa tifozë të futbollit në Angli, pjesëmarrja në ndeshjet e Premier Leagues është rutinë javore.

Blejnë biletat sezonale për ndeshjet në shtëpi dhe udhëtojnë nëpër qytete të tjera për të shikuar ekipin e tyre në ndeshjet në udhëtim.

Për të tjerë, përcjellja e një ndeshjeje të elitës angleze është mundësi që vjen një herë në jetë. Ka të tillë që kursejnë për këtë dhe largohen për kohë pak më të gjatë nga jeta e rregullt për të realizuar ëndrrën. 

Fundjavën e kaluar, James nga Koreja e Jugut udhëtoi plot 8850 kilometra për në Brighton për të parë ekipin e tij të pëlqyer, Tottenhamin, duke luajtur për herë të parë. Ai pagoi 900 funte, përkatësisht 1031 euro për biletë të rishitur të ndeshjes në një faqe interneti të paautorizuar. Por kur u përpoq të hynte në stadium, nuk u lejua.

Pasi BBC shkroi javën e kaluar për tregun e zi të biletave të Premier Leagues, Brightoni ka dëshmuar se sa i madh është problemi realisht dhe si po mundohet ta luftojë atë.

Bileta që bleu James ishte deaktivizuar, kur ai u pëpoq ta skanonte për të hyrë në stadium. Ai u këshillua të shkonte në zyrën e biletave, ku stafi i Brightonit e njoftoi se bileta e tij ishte blerë në mënyrë të paligjshme.

“Jam i zhgënjyer, nuk e kuptova këtë rregull”, tha tifozi jashtë stadiumit, dukshëm i mërzitur. 

Më shumë se 100 tifozëve të tjerë iu anuluan biletat për të njëjtën ndeshjen. Shitja e sërishme është e ndaluar me ligj në Mbretërinë e Bashkuar, por shumë faqe të internetit vazhdojnë të bëjnë këtë, duke u bazuar në tregun e jashtëm.

Shoqatat e tifozëve kundërshtojnë procesin e rishitjes, duke thënë se për këtë tifozë të rregullt po mbesin pa biletat. Klubet po angazhohen po ashtu për të goditur ata që shesin bileta në treg të zi. Çmimi i biletës në treg të zi është shumë herë më i lartë se ai i rregullt. Kjo kryesisht bëhet nga faqe të paautorizuara në internet.

Brightoni ka angazhuar Joseph Sellsin si oficer për hetimin e biletave. Ai ishte përgjegjës për ndeshjen ndaj Tottenhamit.

“Kemi gjetur qindra bileta të rishitura në mënyrë të paautorizuar, duke përdorur tregun e zi. Kemi parandaluar rreth 100 mijë funte transaksione që do të shkonin te rishitësit”, ka thënë Sells.

Ai ka treguar se po përdoret teknologjia e fundit për të parandaluar këtë.

“Një familje erdhi me gjashtë bileta për ta parë ndeshjen kundër Manchester Cityt dy javë më parë. Në total ajo familje kishte paguar 6000 funte”.

Ai thotë se tifozët duhet t’i blejnë biletat direkt nga klubet. 

Brightoni ka njoftuar se 285 bileta të rishitura janë bllokuar për ndeshjen e fundjavës. 12 tifozë me bileta sezonale janë identifikuar si rishitës dhe biletat e tyre për ndeshjet e ardhshme janë anuluar. 

Premier League po prezanton rregulla të reja për biletat digjitale, që përfshijnë barkode të koduara. Në Premier League thonë se kjo e bën rishitjen më të vështirë.

Tifozëve që prezantojnë biletë të paautorizuara, Brightoni ua jep një letër shpjeguese për atë që ka ndodhur. Për ta ofrohen në shitje edhe bileta për vende të lira në stadium, nëse ka të tilla. 

Për tifozë si James, që u besojnë faqeve për rishitjen e biletave, dita e ndeshjes mund të shndërrohet në makth të vërtetë.