Lionel Messi i dhuroi presidentit të SHBA-së, Donald Trump, një top të dekoruar gjatë një ceremonie të organizuar në Shtëpinë e Bardhë për nder të Inter Miamit, përkatësisht triumfit të skuadrës në MLS edicionin e kaluar.
Inter Miami e mposhti Vancouverin në dhjetor për titullin e ligës kryesore të SHBA-së në futboll. Superylli argjentinas ishte lojtari më i vlefshëm për të dytin edicion radhazi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Leo, ti erdhe dhe fitove, dhe kjo është diçka shumë e vështirë për t’u bërë. Është shumë, shumë e pazakontë dhe sinqerisht ka shumë më tepër presion mbi ty sesa do ta dinte kushdo, sepse ti prisje të fitoje, por thuajse askush nuk fiton”, ka thënë Trump gjatë pritjes.
Messi hyri në ceremoni së bashku me Trumpin. Ai iu bashkua Inter Miamit në vitin 2023 me bujë të madhe.
Argjentinasi nuk foli gjatë ngjarjes, që u bë politike herë pas here. Trumpi foli për luftën me Iranin, situatën në Venezuelë, për një njoftim të mundshëm për Kubën dhe madje edhe për tarifat.
Duke iu drejtuar Messit, që eviton fjalimet politike, Presidenti Trump u përqendrua kryesisht te sporti.
“Mund të kishe shkuar kudo në botë. Mund të kishe zgjedhur çdo ekip në botë dhe zgjodhe Miamin. Nuk të fajësoj. Moti është jashtëzakonisht i mirë. A shkon në Doral? A shkon në Doral dhe luan golf?”, tha Trump, duke iu referuar një fushe golfi që e ka ai.
“Dua vetëm të të falënderoj që na solle të gjithëve në këtë udhëtim, sepse je tërheqës dhe i talentuar. Je person i shkëlqyer”, i është drejtuar tutje Trump yllit të futbollit.
Në mesin e atyre që vizituan Shtëpinë e Bardhë ishin edhe Luis Suarez, Tadeo Allende dhe Rodrigo De Paul.
Komisioneri i MLS-së, Don Garber, u ul afër Andrew Giulianit, udhëheqësit të Task-Forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës. Prezent ishin edhe ylli i pensionuar i bejsbollit, Alex Rodriguez dhe anëtarë të kabintetit të Trumpit.
Inter Miami është ekipi i parë i MLS-së i ftuar në Shtëpinë e Bardhë gjatë dy mandateve të Trumpit në zyrë.
Messi është fitues i tetëfishtë i Topit të Artë, ndërsa e ka udhëhequr Argjentinën drejt Kupës së Botës 2022.
38-vjeçari pritet të luajë sërish për Argjentinën këtë verë, kur Botërori organizohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Trumpi e hapi takimin me komente rreth konfliktit me Iranin, por nuk e përmendi Kupën e Botës që ka mbetur në hije pas zhvillimeve të fundit.
Gjatë ceremonisë, Trump tregoi se si e pa legjendën braziliane, Pele, duke luajtur për New York Cosmos. Ai u kthye nga Messi dhe i tha: “Mund të jesh më i mirë se Pele”, pastaj pyeti të tjerët: “Cili është më i mirë?”.
Për Messin ishte vizita e parë në Shtëpinë e Bardhë.