Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Tregimi interesant i Zenelit për kalimin në Belgjikë

Besfort Zeneli

Në muajin janar, Royale Union Saint-Gilloise e transferoi Besfort Zenelin për afro katër milionë euro nga skuadra e kampionatit elitar të Suedisë, Elfsborg.

Besforti vlerësohet me potencial të madh, ndërsa është vëllai i vogël i Arbër Zenelit. Të dy ishin te Elfsborgu së fundmi. Por, Besforti 23-vjeçar, i cili luajti te Kosova U21 në gjashtë ndeshje e më pas vendosi ta përfaqësojë Suedinë, e kapi ritmin menjëherë te skuadra e re. Por tregimi i tij për kalim në elitën belge është i veçantë. Ka dhënë detaje në një intervistë për “La Derniere Heure” të shtunën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Union SG kishte bërë hulumtime të shumta për Besfortin dhe jetën e tij para se drejtori sportiv i skuadrës, Chris O’Loughlin, të takohej me të.

Dhe që nga takimi i parë i O’Loughlinit, Besforti mbeti i mahnitur.

“E takova atë për herë të parë në muajin nëntor. Ai erdhi në qytetin tim të lindjes në Suedi për t’u takuar me mua. Takimi i parë kishte ndikim të madh dhe më la përshtypje. Ai bëri prezantim të shkëlqyer dhe e bëri më të mirën për të më njohur sa më shumë, jo vetëm si futbollist, por edhe si person. Ai i dinte disa gjëra që edhe disa nga shoqëria ime nuk i di! Për shembull, po sa arriti, më tha: Më fal, nuk ka Pepsi Max këtu, e di se ty të pëlqen. Mbeta i shtangur tërësisht. Si kishte arritur ta dinte këtë? Ai po ashtu e dinte edhe ushqimin tim të pëlqyer dhe shumë detaje të tjera për jetën time”, ka thënë Zeneli.

Që nga takimi i parë, drejtori sportiv i Union SG e bindi Zenelin. Kishte edhe ekipe nga Serie A që kishin trokitur në derën e tij. Por, nga ai takim, Zeneli e kishte mendjen e ndarë.

“Nga perspektiva e futbollit, ai dinte gjithçka për mua dhe ma prezantoi klubin në mënyrë bindëse. Pas takimit të parë, i thash menjëherë menaxherit tim se dua t’i bashkohesha këtij klubi. Kur nisën negociatat mes Unionit dhe Elfsborgut, disa klube italiane shprehën interesim po ashtu. Por në mendjen time e kisha çdo gjë të qartë. Doja t’i bashkohesha Unionit”, është shprehur Zeneli.

Zeneli ditë më parë e fitoi epitetin e lojtarit më të mirë të muajit mars në Belgjikë. Ai i realizoi dy gola e tri asistime. Menjëherë pasi e fitoi çmimin në garë me Nicolo Tresoldin dhe Christos Tzolisin, dy lojtarët e Club Brugges, “trofeu” iu nda në stërvitje.

Dhe ishte stërvitja e mesjavës kur kapiteni Christian Burgess ia dhuroi atë.

“E kemi lojtarin më të mirë të muajit mars mes nesh. E kam nderin që t’ia jap çmimin Besit. Shpresoj që t’i do të vazhdosh dhe do të na udhëheqësh edhe në plejof”, kishte thënë Burgess, shkruan mediumi belg.

Royale Union SG është afër titullit të 13-të në Belgjikë. Gara është e fortë me Club Bruggen. Ndeshjen e radhës, Royale Union SG e luan në udhëtim te KV Mecheleni të dielën nga ora 13:30.

Më 14 maj, skuadra e Besfort Zenelit mund ta fitojë edhe Kupën e Belgjikës për herë të katërt. Në finale luan ndaj Anderlechtit.

Zeneli me shumë gjasë do të luajë në Botëror me Suedinë. Nuk luajti në gjysmëfinale të plejofit ndaj Ukrainës, por ndaj Polonisë u paraqit në 22 minutat e fundit. Dhe nga shtylla që ai e goditi në minutën e 88-të, shënoi Viktor Gyokeres. Me golin e Gyokeresit, Suedia fitoi 3:2 ndaj Polonisë dhe e siguroi Botërorin që në këtë vit organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA.