Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Trajneri i tre yjeve të Kosovës e quan “artificiale” Ligën e Kombeve

Fisnik Asllani

Hoffenheimi fitoi 3:0 ndaj Lyonit të enjten mbrëma, në kuadër të xhiros së tretë të Ligës së Evropës. Leon Avdullahu e kompletoi ndeshjen në qendër të mesfushës te skuadra gjermane. Sulmuesi Fisnik Asllani luajti prej minutës së 78-të, kurse mbrojtësi Albian Hajdari mungoi shkaku i lëndimit.

Të tre janë reprezentues shumë të rëndësishëm të Kosovës. Dhe ishin të grumbulluar për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve të zhvilluar javë më parë. Asllani u grumbullua pasi kaloi telashet fizike te Hoffenheimi, kurse Hajdari pësoi lëndim sa ishte te Kosova dhe nuk ka luajtur më. Për më tepër ai u është nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike në të dy këmbët. 

Menjëherë në mes të nëntorit luhen ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve. Ky orar i ngjeshur i ndeshjeve të përfaqësueseve nuk po pritet mirë te klubet. Te Hoffenheimi po ashtu. Trajneri i Hoffenheimit, Christian Ilzer, e ka quajtur “të çmendur” orarin e UEFA-s për ndeshje.

Christian Ilzer

Ai mori shembull lojtarët e shumtë të lënduar të PSG-së dhe të Bayernit. Sipas trajnerit austriak, UEFA “ndoshta duhet të përpilojë statistika lidhur me këto lëndime”.

Plot 18 lojtarë ka liruar Hoffenheimi për ndeshjet e kaluara të përfaqësueseve. 

“Fokusi për ekipet nacionale duhet të jetë te Kampionatet Evropiane dhe Kampionatet Botërore. Këto janë ngjarjet kryesore për lojtarët, ngjarjet kryesore për të gjitha federatat nacionale. Për këtë duhet të punohet, atje duhet të kualifikoheni. Askujt nuk i duhet një Ligë e Kombeve artificiale”, ka thënë Ilzer, shkruan “Kicker” të premten.

“Për mendimin tim, Liga e Kombeve është e tepërt në atë që orari mund të përballojë”, ka shtuar Ilzer, që ka kërkuar rishikim të orarit të ndeshjeve.

Në fakt Liga e Kombeve është prezantuar për të zëvendësuar miqësoret shpesh të pakuptimta. Derisa përfitimet prej saj vlerësohen të mëdha, klubet shpesh paguajnë çmim të lartë sa i takon shëndetit të lojtarëve.

Kosova më 14 nëntor e pret Izraelin, ndërsa më 17 nëntor luan në udhëtim ndaj Irlandës. Avdullahu e Asllani pritet të jenë në ato ndeshje. Kjo do të thotë më shumë kokëdhembje për trajnerin e Hoffenheimit.