Futboll

Muriqi më i miri i muajit në La Liga

vedat muriqi

Vedat Muriqi është zgjedhur futbollisti më i mirë i muajit janar në La Ligën spanjolle.

Sulmuesi shtatlartë i Mallorcas edhe një herë tjetër shfaqi aftësi të lartë për shënimin e golave. Dhe këtë e bëri që nga nisja e këtij viti.

Muriqi shënoi pesë gola në katër ndeshje të luajtura në muajin janar. Këtu përfshihet edhe “hat-tricku” ndaj Athletic Bilbaos, që ia siguroi Mallorcas pikët e plota.

Për yllin e Kosovës është hera e dytë që e fiton çmimin e lojtarit më të mirë të muajit në elitën spanjolle. Më herët këtë sukses e kishte arritur në maj të vitit 2022.

Prizrenasi 31-vjeçar e fitoi çmimin në konkurrencë me Vladyslav Vanatin e Gironas, Alexander Sorlothin e Atletico Madridit, Marcos Alonson e Celta Vigos dhe Gonçalo Guedesin e Real Sociedadit. 

Forma e të gjithëve ishte e mirë në muajin e parë të vitit, por më së shumti vota mblodhi Muriqi.

Muriqi shënoi më 4 janar në disfatën 2:1 në shtëpi nga Girona. Më pas realizoi tjetër gol, kurse Mallorca humbi 2:1 në udhëtim te Rayo Vallecano, më 11 janar.

Pikët e plota me golat e Muriqit, Mallorca i fitoi në stadiumin “San Moix” ndaj Athletic Bilbaos. Mallorca fitoi 3:2, ndërsa Muriqi e kompletoi tregolëshin në një paraqitje mbresëlënëse. Kishte realizuar në minutën e pestë dhe të 42-të, ndërsa nuk gaboi nga pika e bardhë në minutën e 69-të. Muriqi 90 minuta luajti edhe ndaj Atletico Madridit fundjavën e kaluar, por nuk la gjurmë në disfatën e thellë.

Mallorca aktualisht zë vendin e 18-të me 21 pikë dhe është në garë për mbijetesë. Numër të madh të pikëve, Mallorca i ka siguruar falë golave të Muriqit.

Muriqi në total ka 14 gola, ndërsa listës i prin Kylian Mbappe me 21 gola. Sulmuesi i Kosovës, prapa në listë ka lënë edhe lojtarë si Ferran Torres, Robert Lewandowski, Lamine Yamal e Raphinha.

Muriqi është rrugës edhe për të hyrë në histori të Mallorcas si golashënuesi më i mirë në La Liga. Ai i ka 48 gola në total në elitën spanjolle, ndërsa i duhen edhe shtatë gola për ta kaluar legjendën e klubit, Samuel Eto’o.

Eto’o i prin listës në La Liga për Mallorcan për gola të shënuar, me 54 në total.

Për Muriqin është folur se mund të largohet nga skuadra në fund të edicionit, me Fenerbahçen si skuadra më e interesuar.

Ditë më parë drejtori ekzekutiv i Mallorcas, Alfonso Diaz, theksoi se Muriqi është shumë i rëndësishëm për ekipin, duke lënë të kuptohet se ai mund të vazhdojë qëndrimin në Spanjë.

“Ai është lider në fushë dhe jashtë saj, është golashënuesi më i mirë, na jep shumë dhe duhet të qëndrojë me ekipin”, kishte thënë Diaz.

Muriqi ka kontratë me Mallorcan deri në qershor të vitit 2029.