Futboll

Tjetër lëndim për Rodrin

Rodri

Mesfushori i Manchester Cityt, Rodri, ka pësuar tjetër lëndim dhe nuk pritet të jetë i gatshëm për lojë deri pas ndeshjeve të përfaqësueseve në muajin shtator, ka deklaruar të shtunën trajneri Pep Guardiola. 

Mesfushori spanjoll e kaloi pjesën më të madhe të edicionit 2024-25 jashtë fushës si rezultat i lëndimit të rëndë të ligamentit të gjurit, të pësuar në shtatorin e vitit të kaluar. 

Fiuesi i “Topit të Artë” u kthye në ndeshjen e fundit të sezonit të kaluar në Premier League kundër Bournemouthit. 

Ai ishte pjesë e skuadrës në Botërorin e klubeve këtë verë në SHBA, kur City u eliminua në 1/8 e finales nga Al Hilali. 

Rodri kishte luajtur në pjesën e dytë ndaj skuadrës arabe dhe ishte zëvendësuar në vazhdime, për shkak të një lëndimi muskulor. 

City e hap edicionin e ri të Premier Leagues në udhëtim te Ëolverhamptoni më 16 gusht, ndërsa luan më pas ndaj Tottenhamit dhe Brightonit para ndeshjeve të përfaqësueseve në muajin shtator.