Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Tifozët e Novi Pazarit u kundërpërgjigjën me “Kosova është shqiptare” tifozëve të Zvezdës

Tifozët e Novi Pazarit

Kanë bërë bujë thirrjet e tifozëve të zjarrtë të Novi Pazarit pro-Kosovës në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Serbisë ndërmjet Novi Pazarit dhe Cërvena Zvezdës.

Zvezda arriti në gjysmëfinale të Kupës së Serbisë pas fitores 2:0.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndeshja ishte e tensionuar. Në sekondën e 50-të ndeshja u ndërpre për shtatë minuta. Pati edhe ndërprerje të tjera, ndërsa nuk munguan edhe përleshjet. Tifo-grupi “Delije” në përkrahje të Zvezdës u përlesh me policinë e Serbisë.

Tifozët e Zvezdës “Delije” thirrën emrin e kriminelit të luftës, Ratko Mladiq, ndërsa, pazarasit u përgjigjën me thirrjet “Naser Oriq” dhe “Kosova është shqiptare”, shkruan mediumi serb “Alo” të enjten.

Më pas mbështetësit e Novi Pazarit nisën thirrjet pro-Kosovës dhe kundër Serbisë.

“Mbetët pa Kosovën, ishte serbe, tash është shqiptare, dëgjoni ‘Delije’, dëgjoni ‘Grobari’, Kosova nuk do të kthehet”, thotë kënga që kënduan pazarasit.

Për Novi Pazarin nga fillimi i ndeshjes u paraqit futbollisti shqiptar, Driton Camaj.

Ai luajti deri në minutën e 76-të.

Në klubin e qytetit në afërsi të kufirit me Kosovën, në të cilin shumica e banorëve janë boshnjakë, Camaj u transferua më 19 janar dhe firmosi kontratë të vlefshme vetëm deri në verë. Por shkëlqimin e ka nisur menjëherë. Ai ka shënuar pesë gola në pesë ndeshje në Superligën e Serbisë.

Novi Pazari, që ka shumë kundërshtarë në Superligën e Serbisë, është në vendin e katërt me 42 pikë, pas lideres Zvezda, Partizanit të Beogradit dhe Vojvodinës.

Federata e Futbollit e Serbisë ka dalë me një reagim pas incidenteve gjatë ndeshjes në Novi Pazar.

Kanë paralajmëruar se do të merren masa shtesë që synojnë parandalimin e dhunës dhe rritjes së sigurisë në stadiume.

“Pas incidenteve dhe ngjarjeve në tribuna gjatë ndeshjes midis Novi Pazarit dhe Cërvena Zvezdës, si dhe një sërë situatash të ngjashme që janë regjistruar së fundmi në stadiume në të gjithë Serbinë, Shoqata e Futbollit e Serbisë dënon fuqimisht sjelljen e tifozëve individualë dhe përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të piroteknikës. Kohët e fundit ka pasur një rritje të qartë të përdorimit të piroteknikës në tribuna, gjë që ka çuar vazhdimisht në lëndime të oficerëve të policisë, rojave të sigurisë dhe lojtarëve në fushë”, shkruan në reagimin e Federatës së Futbollit të Serbisë.