Fenerbahçe – Beshiktash do të jetë në qendër të vëmendjes të shtunën nga ora 19:00.
Në derbin e Stambollit, katër lojtarë të Fenerbahçes kanë eksperiencë të madhe para këtij ballafaqimi.
Dhe njëri prej tyre është Vedat Muriqi, sulmuesi i Kosovës.
Muriqi qëkur u kthye te Fenerbahçe, ka pasur paraqitje shumë të mira. Në gjashtë paraqitje, në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe në Superligën e Turqisë, ka realizuar tri gola e ka kontribuuar me një asistim.
Mediumi “Milliyet” të enjten ka dhënë detaje për katër lojtarët me eksperiencë të Fenerbahçes para duelit me Beshiktashin. Është përfshirë edhe Muriqi.
Për Muriqin do të jetë derbi i parë ndaj Beshiktashit pas gjashtë vjetësh. Madje edhe ndeshja e fundit e Muriqit me fanellën e Fenerbahçes para gjashtë vjetësh, ishte pikërisht ndaj Beshiktashit.
Në atë ballafaqim, të luajtur më 19 korrik të vitit 2020, Muriqi u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 25-të, kurse Fenerbahçe kishte humbur 2:0 nga Beshiktashi. Ndeshjen e parë të atij edicioni, 2019/20, Fenerbahçe e kishte fituar 3:1. Muriqi e kishte shënuar golin për 3:1 në atë ballafaqim.
Muriqi iu bashkua Fenerbahçes nga Mallorca në këtë verë, në periudhën e dytë në klubin e madh turk.