Futboll

Te klubi gjerman presin shumë nga Arifi

Doni Arifi

Mesfushori 23-vjeçar, Doni Arifi, ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë.

Pasi i përfundoi kontrata me KuPS-in finlandez, Arifi ka firmosur me Greuther Furthin në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Arifi në Finlandë ka luajtur edhe për Honkan dhe Ilvesin. U paraqit për U17, U18, U20 dhe U21 të Finlandës, si dhe për U21 të Kosovës.

Te Furthi, Arifi kaloi si lojtar i lirë. Te klubi gjerman presin shumë prej tij.

“Kemi dashur të rrisim opsionet për qendrën e mesfushës, që të kemi më shumë alternativa. Me Donin kemi siguruar një lojtar që është shumë intelegjent në fushë dhe që dëshiron ta kontrollojë lojën. Ai sjell fizikalitet të shkëlqyer, që mund ta ndihmojë mbrojtjen tonë. Presim që të përshtatet shpejt”, ka thënë drejtori sportiv i Furthit, Stephan Furstner.

Trajneri Heiko Vogël ka theksuar se Arifi e kupton lojën dhe ka pasim të saktë.

“Me këto kualitete ai mund të jetë i rëndësishëm për anën defenzive të mesfushës sonë. Për moshën e tij, Doni ka kaluar shumë por mund të zhvillohet tutje me ne”, ka thënë Vogel.

Arifi ka firmosur kontratë të vlefshme deri në vitin 2027. Mesfushori i gjatë 195 centimetra ka nisur me stërvitje të dielën.

“Ardhja në një vend të ri është diçka ndryshe. Por mezi pres sfidën në Bundesliga 2 dhe në skuadrën e re. Kam qenë i bindur se është momenti i duhur që të bëj hapin drejt Gjermanisë. Dua të dal direkt në fushë dhe të përgatitem për pjesën e dytë të kampionatit sa më mirë”, ka thënë Arifi për sajtin zyrtar të Greuther Furthit.

Greuther Furthi është i parafundit në kategorinë e dytë gjermane.