Në Rumani po e vlerësojnë “turpërimin më të madh në histori”, ndërsa Shkëndija tashmë e ka lënë prapa “suksesin më të madh në histori”. Klubi shqiptar nga Tetova për herë të parë do të paraqitet në fazën e ligës, ish-fazën grupore, të garave kontinentale në futboll. Këtë sukses të madh, Shkëndija e arriti me eliminimin e kampionit rumun, FCSB, në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Shkëndija fitoi 1:0 në Shkup javën e kaluar dhe 2:1 në Bukuresht të mërkurën mbrëma.
Skuadra tetovare tashmë është në raundin e tretë kualifikues të Championsit. Edhe nëse nuk ka më rezultate pozitive në kualifikime, Shkëndija ka siguruar paraqitjen në fazën e ligës në “Conference League”. Nëse eliminohet në raundin e tretë kualifikues të Championsit vazhdon në plejofin e Ligës së Evropës dhe nëse sërish eliminohet, vazhdon në fazën e ligës në “Konferencë”.
Por tetovarët synojnë më shumë se Ligën e Konferencës.
Në raundin e tretë kualifikues të Championsit do të përballen me Qarabagun e Azerbajxhanit. Ndeshja e parë është në Shkup të martën e ardhshme. Ndeshja e kthimit është në Baku më 12 gusht.
Liridon Latifi dhe Vane Krstevski shënuan golat e fitores së madhe të Shkëndijës në Bukuresht. Ndeshja me FCSB-në, dikur Steau Bukureshtin, u zhvillua para 32 mijë e 457 shikuesve.
Edhe
Te Shkëndija e cilësojnë favorit Ludogortesin, por synojnë rezultat pozitiv
Shkëndija, që nuk ka ende stadium të denjë për gara evropiane, paraqitet në kupa kontinentale që nga viti 2011. Tri herë ka arritur në fazën e plejofit, por pa depërtuar në grupe, që tani janë zëvendësuar me fazë të ligës.
Në Rumani e kanë përjetuar rëndë eliminimin e kampionit të këtij vendi nga Shkëndija. E kanë cilësuar “turpin më të madh ndonjëherë”. Madje Shkëndija ishte quajtur nga rumunët “ekip i nivelit të kategorisë së tretë të Rumanisë”.
“Unë respektoj çdo skuadër, jo vetëm ekipet e ligës së dytë rumune, por edhe të ligës së tretë. Futbolli gjithmonë luhet në fushë dhe jo me deklarata. Nuk futboll nuk e bëjnë dallimin milionat apo eurot. Në futboll në momente të veçanta e bën dallimin ajo se me çfarë pasioni dhe me çfarë zemre je duke luajtur”, ka thënë trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri.
Kjo deklaratë e tij është vlerësuar “shuplakë” tjetër për FSCB-në nga mediat rumune.
Shkëndija është skuadra e vetme shqiptare në raundin e tretë kualifikues të Championsit dhe e para që ka siguruar fazën e ligës.
Edhe
Shkëndija eliminohet nga Championsi, kërkon rastin në Ligën e Evropës
“Ky është sukses i përbashkët i gjithë klubit, duke filluar nga pronarët që për disa vjet investojnë pa u ndalur, pastaj i kryesisë, administratës, futbollistëve dhe tifozëve që dua t’i falënderoj për përkrahjen në Bukuresht”, ka shtuar Beqiri.
Qarabagu në raundin e dytë kualifikues e eliminoi Shelborunen e Irlandës. Fitoi 3:0 në udhëtim dhe 1:0 në shtëpi. Në ndeshjen në Baku, të mërkurën mbrëma, ishin 25 mijë shikues.
Qarabagu llogaritet favorit ndaj Shkëndijës, por kuqezinjtë do ta kërkojnë suksesin tjetër historik.
“Është një ekip shumë serioz dhe shumë i organizuar, siç është edhe Steau. Për mua dhe futbollistët e rëndësishme është të japim maksimumin, të respektojmë fanellën që bartim. Pastaj ia lëmë fushës të tregojë rezultatin”, ka theksuar trajneri i Shkëndijës.
Afaristi Lazim Destani është pronar i Shkëndijës, klubi që njihet për përkrahjen pasionante të tifozëve “Ballistët”. Destani ka uruar për suksesin e arritur.
Edhe
Shkëndija synon fitore të madhe në Baku
“Pas 12 vjetësh financimi e përpjekjesh të palodhshme arritëm aty ku të gjithë dëshironim ta shohim Shkëndijën, duke i sjellë rinisë sonë momente të këndshme e plot gëzim”, ka shkruar Destani, ndër të tjera.
Shkëndija do të ketë pak ditë në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen e ardhshme evropiane. Por suksesi historik i arritur tashmë shpresohet të jetë si motiv për fitore të reja evropiane.