Futbollistet e Kosovës kanë humbur dy ndeshjet e para kualifikuese për “Euro 2025”. Por jo edhe motivin.
Te përfaqësuesja e Kosovës ka besim se mund t’u kthehen rezultateve pozitive. Fitoren thonë se do ta kërkojnë përballë Kroacisë.
“Dardanet” të premten e presin përfaqësuesen kroate në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Ndeshja nis në orën 17:00 dhe i takon Grupit 4 të Ligës B.
Më 4 qershor Kosova e luan edhe ndeshjen tjetër me kroatet, në Karlovc.
Kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti thotë se motivi për fitore është i madh, sidomos pas dy humbjeve. Ajo shpreson në fitore ndaj kroateve.
“Motivi është shumë i madh. Besoj se pas dy humbjeve kemi motiv më të madh për të fituar ndeshjet e ardhshme me Kroacinë. Nga grumbullimet e kaluara kemi punuar edhe më shumë për të qenë më të mira dhe nga ndeshjet e ardhshme të dalim me rezultat pozitiv”, ka thënë Memeti të mërkurën.
Kosova e humbi ndeshjen e parë 2:0 nga Ukraina në Antalia të Turqisë më 5 prill. Më 9 prill humbi shumë thellë nga Uellsi në Podujevë, 6:0.
Edhe Kaltrina Biqkaj thotë se motivi është i madh. Sipas saj, Kosova ka gjasa për të fituar ndeshjen ndaj Kroacisë.
“Motivi është shumë i madh. Jemi të lumtura që jemi grumbulluar sërish me ekipin përfaqësues të Kosovës. Jemi me vullnet të madh. Jemi duke u përgatitur në mënyrë intensive. Synojmë rezultat pozitiv”, ka thënë Biqkaj.
Kosova kishte seri prej 14 ndeshjeve pa humbje para ndeshjes së parë të Ligës B kundër Ukrainës.
Kualifikimet për “Euro 2025” po zhvillohen në format të njëjtë me Ligën e Kombeve. Pra përfaqësueset janë të ndara në tri liga. Tri prej katër përfaqësueseve në grup avancojnë në plejof.
Gjasat e Kosovës nuk vlerësohen të mëdha, sidomos pas dy humbjeve të para. Në grup, Uellsi ka dy fitore, kurse Kroacia dhe Ukraina kanë nga një.