Federata e Futbollit e Sllovakisë po përballet me telashe të mëdha financiare. Dhe këto telashe kanë bërë bujë rreth tri javë para ndeshjes Sllovaki – Kosovë, që i takon gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Federata sllovake, sipas “sport24.sk”, ka borxhe në shumë vende.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKjo federatë ka pranuar se ka nisur vitin me deficit prej 6,5 milionë eurosh.
“Madje nuk ka paguar as personat më të rëndësishëm në ekipin nacional, duke përfshirë përzgjedhësin Francesco Calzona”, ka shkruar mediumi sllovak.
Ky medium ka shkruar se ka qasje në dokumentet e federatës, që dëshmojnë borxhet e mëdha.
Madje janë publikuar edhe të hyrat financiare të selektorit italian.
“Janë paga mbretërore për standardin sllovak dhe më të larta se që janë prezantuar për publikun deri më tani”, shkruan tutje “sport24.sk”.
Calzona është bërë selektor i Sllovakisë në gusht të vitit 2022. Ai ka arritur disa suksese me Sllovakinë, por aktualisht federata ia ka borxh dy pagat e fundit. Për nëntor dhe dhjetor 2025, federata ia ka borxh 140 mijë euro. Kjo do të thotë se paga e tij është 70 mijë euro në muaj.
“Paga e Calzonas është vonuar për tre muaj dhe jo për herë të parë”, ka pranuar presidenti i federatës sllovake, Jan Kovaçik.
Në vitin 2023, federata sllovake njoftoi se e ka paguar teknikun italian me 308 mijë e 700 euro në total për atë vit. Për vitin 2024 ka pasur raportime se Calzona është paguar 540 mijë euro në total. Por ishin shifra të pakonfirmuara. Dhe me pagën aktuale, të hyrat vjetore të italianit Calzona janë llogaritur të jenë 840 mijë euro.
Federata sllovake ka borxhe edhe ndaj asistentëve të selektorit. Gianluca Segarelli ka pagë mujore prej 6000 euro. Trajneri i fitnesit dhe video-analisti, Marco Brini ka pagë të njëjtë. Menaxheri teknik i përfaqësueses A, Giovanni De Matteis, ka pagë prej 12 mijë euro në muaj. Krahu u djathtë i Calzonas, Simone Bonomi paguhet 14 mijë e 300 euro në muaj.
I gjithë shtabi teknik, duke përfshirë Calzonan, i kushton federatës sllovake 114 mijë e 300 euro në muaj, përkatësisht 1,37 milionë euro në vit.
Aktualisht selektori më i paguar në botë është Carlo Ancelotti. Te Brazili është raportuar që Ancelotti merr 9,5 milionë euro në vit. Thomas Tuchel i Anglisë merr 5,8 milionë euro në vit.
Kovaçik e fitoi në fund të shkurtit edhe një mandat për ta drejtuar federatën sllovake. Por ka shumë pakënaqësi me punën e tij dhe rizgjedhjen në postin e kryetarit.
Federata ka përplasje edhe me ministrinë sllovake të sportit. Federata është akuzuar edhe për skandale të ndryshme. Federatës i janë suspenduar fondet publike. Federata sllovake është mbështetur me 14 milionë euro në vit nga buxheti i shtetit.
Ndeshja Sllovaki – Kosovë zhvillohet më 26 mars në Bratislavë.