Mediat në Sllovaki menjëherë pas shortit kanë nisur të analizojnë shortin e play-offit për botërorin në futboll dhe faktin se në gjysmëfinale do të përballen me Kosovën. Sikur edhe në Kosovë, ashtu edhe në Sllovaki nënvizojnë si “lajm të mirë” se, në rast se kalojnë në finale, do të luajnë si vendës.
Por në momentet e para pas shortit mediat kryesisht japin njoftime rreth shortit dhe përballjeve që do të zhvillohen për të caktuar 4 skuadra kombëtare nga Evropa që do t’u bashkohen 12 kombëtareve që tashmë janë kualifikuar direkt në botërorin që luhet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Sa i përket Kosovës, fjala “respekt” është ajo që gjendet në shumicën e shkrimeve nëpër mediat e Sllovakisë. Për “respektin” ka folur edhe sekretari i Federatës së Futbollit të Sllovakisë, Peter Palenčík.
“Fakti se të gjithë pjesëmarrësit në barazh kanë kaluar përmes kualifikimeve të vështira flet vetvetiu për kualitetin e tyre. Prandaj ishte vështirë të shprehej dëshira për ndonjë kundërshtar. Kosova është një rival i panjohur për ne, por bazuar në rezultatet në kualifikime duhet ta respektojmë si një skuadër të fortë”, ka thënë ai.
“Fakti se ne do të luajmë ndeshjen e dytë, finalen e play-offit, në shtëpi, na bën të lumtur sepse nuk do të duhet të udhëtojmë te kundërshtari në ndeshjen vendimtare”, ka thënë Peter Palenčík për web-faqen e Federatës Sllovake të Futbollit.
Federata e Futbollit e Sllovakisë ka afat deri më 26 nëntor të informojë se në cilin stadium do të zhvillohet ndeshja.
Ndoshta lajm jo aq i mirë për tifozët e kombëtares së Kosovës është përparësia e vendasve sa i përket biletave për ndeshje. Nëse zbatohet rregulla e përgjithshme, atëherë Federata e Futbollit e Sllovakisë detyrohet t’i ofrojë Kosovës vetëm 5 për qind të kapacitetit të stadiumit. Kjo do të ishte shumë pak, sepse pa dyshim interesi i kosovarëve do të jetë shumë i madh për ta shikuar këtë ndeshje në stadium dhe për ta përkrahur kombëtaren.
Gjasat më të mëdha janë që ndeshja me Kosovën të luhet në “Tehelné Pole Stadium” në Bratislavë, ku luan skuadra Slovan. Ai është ndër stadiumet më moderne në Evropë, por me kapacitet prej vetëm 22.500 ulëseve. Kjo i bie që Kosovës do t’i duhej t’i ndanin vetëm diku 1.200 bileta.
Do të ishte korrekte nga FIFA që të detyrojë vendasit që mysafirëve t’u ndajnë një numër më të madh të biletave, pasi bëhet fjalë për play-off në të cilin luhet vetëm një ndeshje dhe nuk ka ndeshje kthimi.