Futboll

Si arriti ekipi i vogël suedez të bëjë një prej befasive më të mëdha në histori të futbollit

Mjallby

Foto: Associated Press

Askush nuk priste që Mjallby AIF, një ekip i një fshati me rreth 1.500 banorë, të garonte për titullin e kampionit të Suedisë. Në fund të fundit, buxheti i tij ishte shumë i vogël krahasuar me atë të disa prej ekipeve më të mëdha të Suedisë.

Në një fshat të vogël suedez, i njohur kryesisht për peshkim, ndodhet një stadium i vogël futbolli i fshehur pranë një vendi kampingu dhe brigjeve të Detit Baltik. Është një lloj vendi ku toka është aq e sheshtë sa horizonti ndodhet pak mbi pemë dhe qielli shtrihet aq gjerë sa duket se është e mundur ta prekësh. 

Ky është një vend ku u zhvillua këtë stinor një nga befasitë më të mëdha ndonjëherë në histori të futbollit evropian. 

Askush nuk priste që Mjallby AIF, një ekip i një fshati me rreth 1.500 banorë, të garonte për titullin e kampionit të Suedisë. Në fund të fundit, buxheti i tij ishte shumë i vogël krahasuar me atë të disa prej ekipeve më të mëdha të Suedisë. 

Megjithatë, disi, të hënën, ekipi kompletoi një prej befasive më të mëdha të sportit dhe fitoi Allsvenskan – nivelin më të martë të futbollit suedez. 

“Janë 1.500 banorë në fshatin ku luajnë dhe thjesht mbetesh i befasuar kur sheh këtë futboll elitar që po zhvillohet”, thotë për CNN Sports, Erik Haxhiq, një gazetar për “TV4 Fotbollskanalen”, i cili ka mbuluar ekipin për pesë vjetët e fundit. “Triumfi në kampionatin suedez është pa dyshim sensacioni më i madh në historinë e ligës suedeze”. 

Ekipi i vogël nga Hallevik jo vetëm që e ka fituar ligën, por e ka shkatërruar plotësisht konkurrencën. 
Duke humbur vetëm një ndeshje gjatë gjithë stinorit, aktualisht kryeson me 11 pikë më tepër e Hammarby që zë vendin e dytë dhe me fitoren 2:0 ndaj IFK Goteborg, Mjallby siguroi titullin kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund. 

Nëse fiton edhe një nga ndeshjet e mbetura – ose barazon në dy – Mjallby do të vendosë një rekord të ri për më së shumti pikë të mbledhura ndonjëherë nga një ekip në Allsvenskan. Do të thyente rekordin që kishte vendosur Malmo FF në vitin 2010 dhe AIK në vitin 2018. 

“Malmo është klubi më i pasur në Suedi dhe Mjallby ka diku rreth 15 për qind të buxhetit që e ka Malmo, kështu që të gjithë besonin se Malmo do të vazhdonte dominimin e do ta fitonte titullin e tretë rresht”, tha Haxhiq. 

Edhe kur Mjallby e nisi furishëm stinorin, ekipi prapë s’shihej si pretendent për titull. 

Vetëm pasi e mposhti Malmon në gusht, “papritmas pati një ndjesi, ‘Po, ata vërtet mund t’ia dalin’”, tha Haxhiq.

Futbolli evropian nuk është i panjohur me historitë e “Davidit dhe Goliathit” në vitet e fundit. Leicester City, Bayer Leverkusen dhe Montpellier tronditën ligat e tyre përkatëse duke fituar titujt. 
Por, edhe këto histori nuk kishin nisur një dekadë më parë, të bllokuar në rangun e tretë dhe duke luftuar falimentimin. 

“S’mund ta krahasosh pasi Leicesteri prapë kishte vërtet pronarë të pasur”, thotë gazetari sportiv suedez, Olof Lundh. “E kam të vështirë të gjej ndonjë arritje ekuivalente, veçanërisht duke pasur parasysh se Mjallby vjen nga kjo komunë shumë e vogël. Madje nuk duhej të ishte as në elitë. Vetëm të jesh në elitën e futbollit është mbresëlënëse. Të përfundosh në mesin e tabelës do të ishte super mbresëlënëse, por ta fitosh titullin është e pabesueshme”. 

Pyetja e qartë pra është: Si ndodhi kjo? Si është e mundur që një ekip nga një fshat kaq i vogël të luftojë kundër ekipeve elitare të Suedisë dhe të bëjë histori? 

Me kryetarin Magnus Emeus, një biznesmen vendas që u kthye në qytetin e tij të lindjes pasi punoi jashtë vendit, Mjallby ka ndjekur një filozofi, sipas së cilës “duhet të jesh në gjendje të matësh gjithçka”, thotë Lundh. 

“Mendoj se ata thjesht kanë qenë shumë të zgjuar dhe kanë punuar shumë”, thotë Haxhiq. “Ata kanë qenë jashtëzakonisht të mirë në zbulimin e tyre. Ata kanë gjetur disa lojtarë të mirë, po u japin lojtarëve një shans të dytë dhe ata thjesht kanë lulëzuar në Mjallby”. 

Dhe kur je nga një vend aq i vogël sa secili e njeh njëri-tjetrin – trajneri kryesor i Mjallbyt është drejtor shkolle dhe zbuluesi i talenteve është postier – dobësia juaj mund të bëhet pika juaj më e fortë. 
“Është ekip i bazuar në një frymë shumë të madhe ekipore. Disa nga lojtarët jetojnë në të njëjtin apartament”, thotë Haxhiq. 

“Është diçka që s’e kisha menduar kurrë se do të ndodhte sa të jem gjallë. Jam jashtëzakonisht mirënjohës për këtë grup”, tha të hënën për Reuters sulmuesi Jacob Bergstrom. “Ne treguam se së bashku mund të shkosh shumë larg, ne kemi shumë lojtarë që japin çdo gjë për Mjallbyn, është fantastike”. 

“Kam qenë tetë vjet këtu dhe kam miqtë e mi më të mirë që luajnë këtu dhe është thjesht e mrekullueshme. Jam shumë mirënjohës”, thotë Bergstrom. 

Ky shpirt depërton thellë edhe në komunitetin global. Një shitës lokal së fundi krijoi çokollatat e veta për të nderuar arritjen e klubit. 

Për më tepër, me drejtorin sportiv Hasse Larsson, Mjallby ka një njeri që ka dhënë dekada të jetës për klubin. 

“Ai është si zemra dhe shpirti e klubit”, tha Haxhiq. “Ai ka qenë lojtar, menaxher dhe tani është drejtor sportiv. Në një mënyrë, shpirti i tij mëshiron të gjithë klubin. Ai është i gatshëm të bëjë kaq shumë për Mjallbyn dhe është i gatshëm të punojë fortë për të”. 

Në të njëjtën kohë, fati ka luajtur rolin në triumfin e Mjallbyt. Klubi ka përfituar nga disa prej ekipeve më të mëdha të ligës, përfshirë edhe nga Malmo. Konkurrenca performoi jo mirë dhe madje fitonin ndaj njëra-tjetrës në përballje direkte, thotë Lund. 

Kjo punë e madhe ka shumë të ngjarë të vazhdojë para stinorit të ardhshëm dhe nëse del nga faza kualifikuese, atëherë Mjallby do të përballet me elitën e Evropës në Ligën e Kampionëve. 
Vetëm të menduarit se skuadrat si Real Madrid apo Liverpool do të bëjnë një rrugë deri buzë Detit Baltik, është diçka me të cilën tifozët e klubit do të qeshnin 12 muaj më parë. Nuk do të besonin. 

“Sinqerisht e kam të vështirë ta shprehi me fjalë. Është kaq e fuqishme”, tha trajneri i Mjallbyt, Anders Torstensson, pas fitores të së hënës. “Së bashku me ekipin, e kemi mbajtur presionin larg vetes, spekulimet dhe atë se çfarë është e mundur e çfarë jo. Është fantastike. Është e pabesueshme”.