Futboll

Selektori serb foli për atmosferë fantastike, mediat serbe me qasje tjetër

Dragan Stojkoviq

Foto: Associated Press

Selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq, e vlerësoi “fantastike” atmosferën në “Air Albania” në ndeshjen e së shtunës mbrëma ndaj Shqipërisë.

Ndeshja përfundoi 0:0, ndërsa kuqezinjtë kishin përkrahje goxha të madhe, ndonëse në transmetimin televiziv kjo nuk është vërejtur shumë. Kishte thirrje për UÇK-në, Shqipërinë Etnike, Kosovën, komandantin legjendar Adem Jashari dhe thirrje të shumta në përkrahje të kuqezinjve. Ka pasur fyerje të vazhdueshme ndaj serbëve e Serbisë, por edhe ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Dukës. Është fishkëllyer fort himni serb po ashtu.

“Atmosferë fantastike, ndërsa djemtë tanë treguan karakter. Nuk është lehtë të luhet në këtë stadium”, ka thënë Stojkoviqi pas ndeshjes.

Në fushë nuk kishte shumë tension mes lojtarëve, ndërsa incidente nuk janë regjistruar. Ka pasur episode kur lojtarët janë treguar korrekt dhe kanë respektuar kundërshtarin. Për këtë ka shkruar edhe tenisti i njohur serb, Novak Gjokoviq, që postoi tri fotografi nga momentet e ferplejit sportiv në ndeshje.

““Respekti dhe ferpleji janë gjithnjë mundësi! Një bravo e madhe për të dy ekipet për sjelljen”, ka shkruar njëri prej tenistëve më të mirë në botë.

Në Tiranë ishin edhe dhjetëra gazetarë nga Serbia. Por ajo që kanë paraqitur ata shkon plotësisht në të kundërtën e asaj që ka thënë Stojkoviqi dhe që ka shkruar Gjokoviqi. Gjatë bisedave, gazetarët serbë kanë folur për pritje të zakonshme dhe të pritur në Tiranë. Por ajo që kanë paraqitur në mediat e tyre shkon plotësisht në drejtim të kundërt.

“Gënjeshtër zotëri, na keni gënjyer sërish”, shkruan në titullin e një përshkrimi që gazetari i mediumit “Sportal.rs”, i ka bërë gjithë asaj që ndodhi në Tiranë të shtunën. Është shkruar se serbët mbesin të padëshiruar në Serbi dhe shumë gjëra të tjera në këtë frymë.

“Përshtypja e përgjithshme këtu në Tiranë është që të gjithë na kanë bindur se nuk do të ketë kurrfarë problemesh, por ndodhi plotësisht e kundërta”, ka shkruar “Sportal.rs”.

Në mediumin “b92”, titulli i reportazhit është “Përshtypja nga Tirana – nuk kanë dashur incidente, por vetëm pak që të fyejnë”. Gazetari i këtij mediumi ka shkruar se është fat që tifozët e zjarrtë nuk ishin në stadium.

“Frikësohem edhe të mendoj se çka do të bëhej sikur ata të ishin në stadium”.

B92 ka shkruar se kontrolla gjatë hyrjes nuk ishte e duhura dhe se ishte e mundur të futen gjëra të ndryshme në stadium. 

“Në përgjithësi, ndeshja tregoi se shqiptarët e kanë dashur shumë këtë ngjarje për të ‘treguar’ se janë nikoqirë të mirë dhe ta organizojnë ndeshjen e rrezikshmërisë së lartë pa asnjë incident. Por edhe që të gjithëve t’ua dërgojë qartë mesazhin që ende nuk i duan serbët dhe Serbinë dhe që kurrë nuk do t’i duan, por vetëm ‘bëhen’ se i duan që të fitojnë diçka nga turizimi”, shkruan në reportazhin e “b92”.

“Kurir” ka shkruar për “provokime, skandal dhe fishkëllima të turpshme gjatë himnit serb”. 

“Ndeshje skandaloze që është dashur të NDËRPRITET! Futbollistët serbë mezi shpëtuan kokën në Tiranë”.

Ngjashëm kanë shkruar edhe shumica e mediave serbe, që kryesisht janë të kontrolluara nga pushteti në Serbi dhe që njihen për propagandën që bëjnë.

Ndeshja është përcjellë me shumë vëmendje edhe nga mediumet e rajonit, por edhe mediumet e fuqishme të huaja.