Talenti i mesfushorit me tipare sulmuese, Brajan Gruda, pritet të shihet në fushë me fanellë të re, atë të Leipzigut, nga e diela. 21-vjeçari, anëtar i grupmoshës U21 të Gjermanisë, e ka siguruar numrin legjendar, 10-shin, dhe ka mbërritur në Leipzig me fuqinë e Messit. Mediumi gjerman “BILD” e ka zbuluar arsyen që fshihet prapa saj.
Futbollisti Gruda që luan me të majtën shumë të fuqishme, me pasime brilante, me gjuajtje artistike – dy vjet më parë luante për Mainzin dhe shkëlqeu në Bundesligë. Pas një viti e gjysmë në Angli, ai është kthyer në Gjermani. Dhe teknika e tij tani thuhet se është edhe më e mirë. Ai është vetëm njëri prej dhjetë futbollistëve me këpucë të veçanta nga e njëjta seri e prodhimit, si superylli Lionel Messi.
Lojtari premtues
Në vjeshtën e kaluar, Messi zgjodhi dhjetë futbollistët të cilët ai i konsideron si talentet më të mëdha të futbollit. Njëri prej tyre ishte Gruda. Shpërblimi: Vetëm ata lejohen t’i mbajnë veshur këpucët e modelit “F50 Vis10n”, në të cilat shfaqet emri “Messi”. “BILD” e ka pyetur transferimin e ri të Leipzigut për këtë.
“Jam admirues i madh i Messit. Ai është lojtari më i mirë i të gjitha kohëve”, ka thënë Gruda, që nuk e vlerëson si presion zgjedhjen e tij. “Është motivim i madh. Është nder për mua që më lejohet t’i vesh këpucët e tij”.
Edhe
Messi përzgjedh Grudën në mesin e 10 lojtarëve më premtues
Pret debutimin në fundjavë
Dhe ai dëshiron të luajë me këto këpucë të dielën në Koln.
“Jam 100 për qind i gatshëm për lojë. Tani vendos trajneri nëse unë do të jem titullar apo zëvendësues. Në secilin rast, do ta jap më të mirën”, thotë mesfushori me tipare sulmuese, i cili shton se “preferon të luajë në krahun e djathtë të mesfushës”.
28-vjeçari Xaver Schlager ka luajtur shpeshherë në atë pozitë te Leipzigu.
Gruda është i huazuar nga Brightoni deri në verë.
Edhe
Futbollistit shqiptar i shtyhet debutimi me Gjermaninë
“Jam zhvilluar në aspektin personal dhe si futbollist atje. Por, tani dua ta ndihmoj Leipzigun që të kualifikohet sërish në garat evropiane”, thotë Gruda që u lind në Speyer, familja e të cilit është nga Shqipëria. Ai shton se “stili i Leipzigut më përshtatet. Seancat stërvitore janë po aq kualitative sa në Angli. Tani dua që të kem minutazhë dhe të shfaq atë që unë mund të bëj”.
Gruda: Dua që të shkoj në Kupën e Botës
Gruda e ka një synim të madh – paraqitjen me Gjermaninë në Kupën e Botës këtë verë në Amerikën e Veriut. Kur u pyet nga “BILD”, ai tha e ka në mendje Botërorin.
“Do të gënjeja nëse do të thosha se kjo nuk është në mendjen time. Dua që të shkoj në Kupën e Botës! Për të ndodhur kjo, paraqitja ime në fushë duhet të jetë e duhura”, ka theksuar ai. Dhe ai e sheh si reale këtë mundësi.
Edhe
Shqetësime për Grudën para grumbullimit me Gjermaninë
“Nëse paraqitesh mirë, gjërat mund të ndodhin shumë shpejt”.
Këpucët e Messit mund ta ndihmojnë Grudën.