Ish-mesfushori Bastian Schweinsteiger ka thënë se ishte dënuar nga trajneri Jose Mourinho gjatë kohës sa ishte anëtar i Manchester Unitedit.
39-vjeçari Schweinsteiger, u paraqit në 31 ndeshje nën drejtimin e Louis van Gaalit në edicionin 2015-16.
Ai luajti vetëm katër ndeshje me Mourinhon në edicionin tjetër, para se t’i bashkohej skuadrës Chicago Fire në vitin 2017.
“Isha shumë i mërzitur sepse Unitedi ishte klubi i dytë i zemrës”, ka thënë Schweinsteiger për “Overlap”.
“Kam dhuruar shumë dhe për këtë arsye isha i mërzitur sepse nuk jam person që dal nëpër media. Ishte më e rëndësishme për mua të fokusohesha në futboll dhe të sillesha në mënyrën më të mirë”, ka shtuar ai.
Ish-reprezentuesi i Gjermanisë mungoi në 11 ndeshjet e fundit të edicionit 2015-16 për shkak të një lëndimi, ndërsa trajtimin e bëri në Gjermani para “Euro 2016”.
Unitedi e zuri vendin e Van Gaalit në maj të atij viti.
Schweinsteiger luajti gjashtë ndeshje në Evropian, ndërsa Gjermania shkoi në gjysmëfinale. Mungoi në fazën parasezonale me klubin në SHBA.
“Kur shkova në ditën e parë, stërvita me Zlatan Ibrahimoviqin dhe mendova se ishte gjë e madhe, një lojtar që kishte vizion dhe ishte gjë e shkëlqyer të luaja me të”, ka thënë Schweinsteiger.
“Ditën tjetër, në ditën e lindjes, kur hyra në qendrën stërvitore në Carrington, drejtori i futbollit John Murtough, ishte aty dhe më tha se nuk më lejohet të hyjë në dhomat e zhveshjes – sepse kështu ka thënë trajneri. I kërkova gjërat e mia për stërvitje dhe e pyeta se me kë do të ushtroj. Ai më tha me ekipin U16. Kështu që, unë shkova dhe stërvita me grupmoshën U16”, ka shtuar gjermani.
Schweinsteiger për herë të parë në atë sezon luajti në nëntor të vitit 2016 në “Carabao Cup” kundër West Hamit. Pati edhe tri paraqitje në Kupën FA dhe Ligën e Evropës, para se të kalonte në ligën MLS në SHBA.
“Hera e parë që më është kërkuar falja ka qenë kur unë vendosa të largohesha nga Manchester Unitedi për në Amerikë. E pyeta Josen nëse mund ta bënte atë dhe ai kërkoi falje për mënyrën se si më ka trajtuar në fillim. Ai duhej të më linte të lirë sepse nuk mund të bënte diçka tjetër kundër meje”, ka thënë ish-mesfushori i suksesshëm.
Schweinsteiger u pensionua në vitin 2019, pas tri edicioneve të kaluara me Chicagon.