Futboll

Ronaldo në Austri, skena të pabesueshme nga tifozët

Cristiano Ronaldo

Zhurma rreth Cristiano Ronaldos po arrin nivel të ri në Saalfelden të Austrisë. Qindra tifozë kanë rrethuar hotelin ku po qëndron klubi saudit Al-Nassr. Por interesimi po i kalon kufijtë e së lejuarës dhe superylli portugez ka kërcënuar me thirrje të policisë, shkruan gazeta austriake “Krone”.
Gjithçka ka të bëjë me autografe, fotografi apo edhe me thjesht për ta parë atë. Qëkur klubi elitar nga Arabia Saudite është në Brandlhof, qindra tifozë kanë lëvizur rreth kompleksit të hotelit çdo ditë. Edhe brenda kompleksit thuajse të gjithë mysafirët veshin fanella me numrin shtatë.
Ndonjëherë ka skena të trazuara gjatë mbërritjes dhe largimit të ekipit nga hoteli për seanca stërvitore. Ka tollovi edhe në hotel. Të shtunën furgoni i zi i markës “Mercedes”, i sulmuesit Sadio Mane, u detyrua të frenonte fort, ndërsa tifozët që brohorisnin “sulmuan” rrugën që dërgon në fushën stërvitore. Ata rrëshqitën në lagështi, pas reshjeve të shiut. 

Kjo nuk ishte e tëra. Fëmijë që ishin regjistruar në hotel me familjet e tyre vetëm për të parë Ronaldon nga afër, hynë fshehurazi në korridorin ku superylli portugez qëndronte në suitën e tij. Madje i trokitën në derë. Portugezi e hapi atë me zemërim pas disa minutave dhe kërcënoi me zë të lartë se do të thërriste policinë.

“Në momentin kur fëmijët ishin sipër, ne nuk ishim të pajisur mirë”, ka thënë një rojë sigurie për “Krone”. Disa fëmijë dhe prindër ishin jashtëzakonisht të zhgënjyer.
“Është e papranueshme që po shpenzojmë mijëra euro këtu dhe nuk ka asnjë shans për të bërë një foto apo për të marrë një autograf”, është ankuar një familje nga Vorarlbergu.
Disa megjithatë ishin me fat. Familjarë të organizatorit të kampit u takuan me pesë herë fituesin e Topit të Artë. Të tjerë iu lutën Ronaldos për një foto në korridor.

Të dielën pasdite kishte një fund të lumtur për shumë spektatorë. Ronaldo dha shumë nënshkrime jashtë. Pos fotografive, topave të futbollit e fanellave, ai nënshkroi edhe targa dhe madje të brendshme. Disa prej tifozëve të tij më fanatikë mezi e besonin këtë dhe kishte të tillë që shpërthyen në lot.

Stafi i hotelit dhe ekipi i sigurisë punuan deri natën vonë për të mbajtur situatën në kontroll në resorin e “qetë”.

“Nëse ata kthehen vitin tjetër do të na duhet të bëjmë gjithçka krejtësisht ndryshe”, ka thënë pronari i hotelit, Alexander Strobl për  “Krone”.

Edhe ai ndien se atmosfera po përshkallëzohet ngadalë. Kritikon veprimet e klubit nga Arabia dhe tifozët e zjarrtë të Ronaldos.

“Shumë besojnë se vetëm pse janë regjistruar këtu kanë të drejtë për autograf apo për foto me Cristianon. Por nuk është kështu. Klubi ka mundur të rezervojë një pjesë të hotelit. Por nuk ka dashur të bëjë këtë”, sqaroi Strobl.

Sikur kjo të mos mjaftonte, pati një thirrje për zjarrfikësit atë mbrëmje. Ishte një alarm i paqëllimshëm i rremë në hotel. Departamenti i zjarrfikësve arriti ta zgjidhte shpejt situatën.

Skuadra arabe do të qëndrojë në Austri deri më 4 gusht. Më pas do të vendoset në Portugali. Nuk përjashtohet mundësia që Ronaldo të largohet më herët për shkak të tollovisë. Të mërkurën dhe të shtunën klubi i shkretëtirës do të luajë miqësore. Komuniteti i vogël në këtë qendër austriake duhet të përgatitet për vlug njerëzish.