Superylli Cristiano Ronaldo dhe skuadra e tij, Al-Nassr, do të largohen nga Austria më herët se që ishte planifikuar. Zyrtarisht kampi në Austri u ndërpre për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut.
Por ka pasur raportime se Al-Nassr nuk ka pasur kampin më të mirë përgatitor në Austri, për shkak të interesimit shumë të madh të tifozëve për ta parë nga afër Ronaldon. Në hotelin ku ishte vendosur skuadra arabe, janë parë shumë tifozë të portugezit. Madje disa fëmijë i kanë trokitur atij në derën e dhomës dhe, sipas mediave austriake, Ronaldo ka kërcënuar me thirrje të policisë.
“Sky” ka raportuar se klubi arab do të largohet nga Grodigu të mërkurën në mbrëmje, pas miqësores me Toulousen.
Pjesën e dytë të përgatitjeve, Al-Nassr e kryen në Portugali. Një miqësore e planifikuar për të shtunën në Austri është anuluar.
Fillimisht ishte planifikuar që skuadra arabe të qëndrojë në Austri deri më 4 gusht.
Por për shkak të shiut dhe fushës së rrëshqitshme që mund të rrezikojë shëndetin e lojtarëve, Al-Nassr ka vendosur të largohet më herët.