Jerevan, 7 shtator – “Unë nuk i kërkoj rekordet”, ka thënë Cristiano Ronaldo shpesh në vjetët e fundit. “Rekordet më kërkojnë mua”, ka shtuar ylli portugez.
Dhe Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde dhe t’u afrohet atyre. Të shtunën mbrëma ai i shënoi dy gola në fitoren 5:0 të Portugalisë ndaj Armenisë në Jerevan. Për Portugalinë ishte ndeshja e parë e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Ronaldo tani i ka 38 gola në 48 ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës. E ka kaluar Lionel Messin, që i ka 36 gola në 72 paraqitje kualifikuese për Botëror.
Ronaldo është i dyti e Lionel Messi i treti në këtë listë. Duket befasi që dy superyjet nuk janë në krye të listës. I pari është Carlos Luiz i Guatemalës, me 39 gola në 47 ndeshje kualifikuese për ngjarjen globale.
Ruiz ka shënuar gola në kualifikimet për Botërorët prej 2002 deri në 2018.
Edhe
Dy gola të Ronaldos në fitoren bindëse të Portugalisë
Ronaldo e Messi shënojnë gola në kualifikime ende. Por Messi ka thënë se e ka luajtur ndeshjen e fundit kualifikuese për Botëror para tifozëve në Argjentinë. Ndërkohë Ronaldon e presin edhe pesë ndeshje në kualifikimet për Botërorin që vitin tjetër mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada.
Ronaldo ka shënuar gola në kualifikimet për Kupën e Botës 2006, 2014, 2018, 2022 e 2026. Kampanjën më të suksesshme e kishte për botërorin 2018, kur i realizoi plot 15 gola në nëntë ndeshje.
Messi ka shënuar gola në kualifikimet për Botërorin 2010, 2014, 2018, 2022 e 2026. Dhjetë gola i kishte në 14 paraqitje në kualifikimet për Botërorin 2014.
Me ritmin aktual është pak e besueshme që Ronaldo nuk do ta vendosë edhe rekordin për gola në kualifikime. Messi dhe portugezi 40-vjeçar tashmë kanë rekorde të shumta të futbollit.
Ronaldo është bindshëm golashënuesi më i mirë në futbollin ndërkombëtar. Në 222 paraqitje për Portugalinë i ka shënuar plot 140 gola. I dyti në listë është Messi me 114 gola në 194 paraqitje. Ali Daei i Iranit është lojtari i vetëm tjetër që ka arritur shifrën e 100 golave. Ai ka 108 gola në 148 paraqitje.
14 gola superylli portugez i ka në Kampionate Evropiane e tetë në Kampionate Botërore. Në Ligën e Kombeve i ka shënuar 15 gola, në kualifikime për Evropian 41, në kualifikime për Botëror 38, në Kupën e Konfederatave dy dhe në miqësore 22.
Edhe
Ronaldo largohet papritur pasi pyetet vazhdimisht për Messin
Golin e parë për Portugalinë, Ronaldo e ka shënuar që më 12 qershor të vitit 2004. Golat e radhës i synon menjëherë të martën mbrëma ndaj Hungarisë në Budapest.