Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Rekord i ri - klubi i kategorisë së pestë i shet mbi 41 mijë bileta

Shitje rekord bilteash - Hamburg Eimsbutteler Ballspiel Club

Klubi i kategorisë së pestë gjermane, Hamburg Eimsbutteler Ballspiel Club (HEBC), ka shitur më shumë se 41 mijë e 600 bileta për ndeshjen e madhe të raundit të parë të Kupës së Gjermanisë në futboll. HEBC do të përballet me gjigantin Borussia Dortmund, ndërsa ndeshja zhvillohet të martën nga ora 20:45 në stadiumin e Hamburgut, “Volksparkstadion”.

“Teoritikisht, mund të zë 57 mijë shikues. Por tribuna veriore është e rezervuar për anëtarët e Hamburgut. Rrjedhimisht nuk presim të jetë plotësisht i mbushur. Por edhe me shifrën aktuale është e pabesueshme. Ëndrra tashmë është realizuar”, ka thënë presidenti i klubit, Konstantin Zimmermann.

Edhe me 17 mijë tifozë, klubi do të kishte fitim, pasi të kryente obligimet e ndeshjes si huazimi i stadiumit të madh në Hamburg.

“Kicker” shkruan të hënën se numri i biletave të shitura është rekord për ndeshje të Kupës për një skuadër të kategorisë së pestë.

Rekordi i kaluar ishte 41 mijë e 500 shikues. U vendos më 10 gusht 2019 në stadiumin “Weser”, ku Atlas Delmenhorst humbi 6:1 nga Werder Bremeni.

Plot 41 mijë e 100 shikues ishin në stadiumin e Kolnit në vitin 2010. Germania Windeck kishte pësuar 4:0 nga Bayerni.

Stadiumi i HEBC, “Proffesor-Reinmuller-Platz”, që i ka 2500 ulëse, do të ishte shumë i vogël për ndeshjen e së martës. Madje nuk do t’i zinte as tifozët e Dortmundit, që janë mysafirë. Për më tepër, rregullat e sigurisë të federatës gjermane nuk mund të përmbushen në atë stadium.

Edhe Dortmundin e pret ndeshje e vështirë Futboll Dortmundin e pret ndeshje e vështirë

Dortmundi për herë të dytë brenda dy vjetësh do të udhëtojë për në “Hamburg Arena” për ndeshje të raundit të parë të Kupës. Në gushtin e vitit 2024, Phoenix Lubeck i kategorisë së katërt e priti Borussia Dortmundin para 50 mijë e 971 shikuesve. Dortmundi fitoi 4:1.

Dortmundi, natyrisht, është favorit i madh ndaj HEBC. Por te kjo skuadër mezi e presin ndeshjen. Disa lojtarë dhe tifozë madje kanë dekoruar autobusin e qytetit të Hamburgut, të cilin skuadra do ta shfrytëzojë për të udhëtuar në ndeshje.

Për shkak të ndeshjes për Superkupë mes Bayernit dhe Dortmundit, ndeshjet e tyre për Kupë janë shtyrë. Bayerni luan në udhëtim ndaj Osnabruckut të kategorisë së dytë, të mërkurën. Ende asnjë ekip i Bundesligës nuk është eliminuar në raundin e parë të Kupës gjermane.