Të hënën është tërhequr shorti për raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në këtë raund garash do të paraqiten Ballkani dhe Prishtina, nëse e kalojnë me sukses raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, Ballkani luan me Florianan e Maltës, kurse ndeshja e parë është të martën nga ora 20:30 në “Fadil Vokrri”.
Nëse e kalon Florianan, Ballkani i Suharekës do të luajë në raundin e tretë me St. Josephin e Gjibraltarit apo Shamrock Roversin e Irlandës. Të dy vlerësohen kundërshtarë të kalueshëm për ekipin suharekas.
Ndërkohë Prishtina në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës përballet me Larnen e Irlandës së Veriut. Ndeshja e parë e Prishtinës është të enjten në udhëtim.
Nëse e kalon Larnen, Prishtina në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës luan me Varazhdinin e Kroacisë apo Santa Claran e Portugalisë.
Ndeshjet e raundit të tretë zhvillohen më 7 e 14 gusht.
