Futboll

Rashani transferohet te City, zbulon se çfarë i tha Berisha

Elbasan Rashani

Elbasan Rashani është futbollist i ri i Melbourne Cityt, në kampionatin elitar të Australisë. 

Zyrtarizimi i Rashanit te dy herë kampioni i Australisë dhe një herë fituesi i Kupës australiane u bë të premten. 

Rashani ka thënë se ka kontaktuar me Valon Berishën, futbollistin tjetër të Kosovës, i cili i tregoi për klubin. 

Berisha e kaloi një edicion si i huazuar te Melbourne City nga Reimsi francez dhe pati paraqitje të mira. 

“E kam thirrur Valonin menjëherë kur dëgjova për interesimin nga Melbourne City. Ai pati sezon të mirë këtu. Ai është person shumë i mirë dhe shok shumë i mirë. Ai ka folur shumë gjëra të mira për qytetin, klubin, ligën dhe për çdo gjë tjetër. Kështu që ishte ndihmeësë për mua dhe gjë e mirë që e dëgjova nga një shok i ngushtë”, ka deklaruar Rashani për faqen zyrtare të klubit. 

Në faqen zyrtare të klubit, transferimi i Rashanit është vlerësuar lartë. 

“Sulmuesi i disa pozitave dhe punëtor i madh, Rashani, arrin në Melbourne pasi luajti rol në promovimin e Elches në La Liga në sezonin e kaluar. Ai luan në krah, sjell kreativitet dhe përfundim të aksioneve. Është aktiv në krah me aftësinë për të hyrë në zonë dhe të shënojë vetë gola. Me më shumë se një dekadë eksperiencë në Evropë, 32-vjeçari ka pasur karrierë të ndritur në Norvegji, Francë, Turqi dhe Danimarkë, duke luajtur mbi 300 ndeshje në nivelin e seniorëve. Ka 29 paraqitje në nivelin e përfaqësueseve dhe ka shënuar pesë gola për Kosovën, ku është paraqitur rregullisht përkrah ish-mesfushorit të Cityt, Valon Berisha”, ka shkruar ndër të tjera Melbourne City.

VIDEO:

Rashani do ta ndihmojë Melbourne Cityn edhe në ndeshjet e Championsit aziatik. Ndeshjen e parë në këtë garë, Melbourne City e luan të martën në shtëpi, kundër Sanfrecce Hiroshimas.

“Kjo është një mundësi për ta fituar sërish titullin e kampionit në Australi dhe jam jashtëzakonisht i lumtur. Nga çdo gjë që kam dëgjuar dhe kam parë deri tani, Melbourne City është klub me ambient fantastik dhe me ambicie të larta për të fituar. Mezi pres t’i takojë tifozët dhe të bëj çdo gjë për të kontribuuar edhe për një sezon tjetër të suksesshëm”, theksoi Rashani. 

Për transferimin e Rashanit ka folur edhe drejtori i futbollit te skuadra australiane, Michael Petrillo. 

“Ne donim që ta gjenim jo vetëm lojtarin e duhur që i përshtatet stilit të lojës tonë, por edhe personin e duhur që përkon me kulturën dhe vlerat e klubit. Elbasani sjellë eksperiencën e nivelit të lartë të futbollit, kualitetin teknik dhe seriozitetin në punë. Ne besojmë se sulmit do t’i shtojmë një dimension tjetër. Mezi presim ta shohim ndikimin që ai mund ta ketë në sezonin që na pret para”, është shprehur Petrillo. 

Rashani, i cili ka paraqitje për të gjitha grupmoshat e Norvegjisë, karrierën e nisi te të rinjtë e skuadrës Odd Youth dhe Grenland. Më pas ka luajtur edhe te Brondby, Rosenborgu, Erzurumspori, Clermont Footi dhe Elche së fundmi. 

Te Melbourne City luajnë edhe disa lojtarë të tjerë shqiptarë që vlerësohen lartë. Prej tyre është edhe Medin Memeti, sulmuesi 18-vjeçar.