Futboll

Rapid Bukureshti konfirmon interesimin për Hazrollajn

Drilon Hazrollaj

Aksionari i Rapid Bukureshtit, Victor Angelescu, ka konfirmuar interesimin për sulmuesin e Malishevës, Drilon Hazrollaj. Ai ka thënë se transferimi i Hazrollajt te skuadra rumune mund të realizohet në verë.

“Ishte në listën tonë. Nuk insistuam ta sillnim këtë dimër. Ndoshta në verë. Ne kemi shumë lojtarë në listë”, ka thënë Angelescu për mediumin rumun, “Digi Sport”.

Hazrollaj është në momentin e tij në karrierë. Sezonin e kaluar shënoi 28 gola dhe asistoi 11 herë në 36 ndeshje. Në edicionin aktual, Hazrollaj për Malishevën ka shënuar shtatë gola dhe ka asistuar dy herë në 20 ndeshje.

Te Rapid Bukureshti luajtën edhe Ermal Krasniqi dhe Albion Rrahmani. Nga të dy lojtarët e Kosovës përfitoi shumë në aspektin financiar. Rrahmanin e bleu nga Ballkani për 600 mijë euro, ndërsa e shiti te Sparta Praga për 5 milionë euro. Krasniqin nga Cluji rumun e bleu për një milionë euro, ndërsa përfitoi dyfish më shumë nga shitja e tij te Sparta Praga.