Trajneri i Romës, Claudio Ranieri, u ka kërkuar tifozëve që ta ndihmojnë skuadrën me “një shtytje të fundit”. Skuadra e trajnerit ikonik kërkon që në xhiron e fundit të Serie A ta kalojë Juventusin në tabelë dhe të kualifikohet në Ligën e Kampionëve.
73-vjeçarit Ranieri iu bë një përshëndetje e mahnitshme të dielën mbrëma në “Olimpico”, në ndeshjen e fundit të Romës si vendase nën drejtimin e tij. Roma arriti fitore po ashtu mahnitëse, 3:1 ndaj Milanit. Një tifoz e përshkroi Ranierin si “një udhëheqës i shkëlqyer, një romanist i vërtetë”.
Ranieri më herët kishte vendosur të pensionohej. Por në nëntorin e kaluar nuk mundi ta refuzojë ftesën e Romës për ta drejtuar skuadrën. Roma ishte afër zonës së rënies, ndërsa me Ranierin rezultatet janë të shkëlqyera. Tani skuadra po kërkon kualifikimin në Champions. Roma është ekip i fëmijërisë i trajnerit unik italian.
“Është e mrekullueshme. Të ndihesh i vlerësuar nga njerëzit e tu është gjithmonë diçka e mrekullueshme”, ka thënë Ranieri i përlotur.
“Unë u besova atyre. Kur erdha gjendja e tyre shpirtërore ishte vërtet në nivelin më të ulët. Por ngadalë arritëm të ngjitnim atë mal. Kemi seri prej 19 ndeshjeve pa humbje dhe kjo ishte vërtet një periudhë e rëndësishme”, ka theksuar trajneri italian.
Një xhiro para fundit, Roma është e pesta me 66 pikë. 67 pikë në vendin e katërt i ka Juventusi, ndërsa Lazio është e gjashta me 65 pikë. Pozita e katërt është e fundit që dërgon në Champions nga Serie A. Atalanta është e treta me 74 pikë dhe do të përfundojë në këtë pozitë.
Të dielën e ardhshme Roma luan në udhëtim ndaj Torinos. Torino është në mesin e tabelës me 44 pikë. Në termin të njëjtë, të dielën nga ora 20:45, Juventusi luan në udhëtim ndaj Venezias. Për Venezian pikët janë të domosdoshme për të shpresuar në mbetje në Serie A. Lazio e pret Leccen, që po ashtu ka shumë nevojë për pikë.
“Kishim nevojë për dashurinë tuaj”, u tha Ranieri tifozëve. “Isha aty mes jush, në ato tribuna, 60 vjet më parë. Ju kërkova ndihmë. Tani kemi nevojë për ata hapa të fundit”, ka shtuar Ranieri.