“Natyralizimi” i sportistëve nuk është temë vetëm në Kosovë e Shqipëri, por edhe në shumë vende të tjera. Për shembull, për përfaqësuesen e Malajzisë në futboll për shumë kohë janë paraqitur futbollistë të natyralizuar. Madje për këtë përfaqësuese kishte luajtur edhe një futbollist shqiptar. Bëhet fjalë për Liridon Krasniqin, që i ka shtatë paraqitje e një gol për Malajzinë në vitet 2021 e 2022.
Krasniqi nuk është se la ndonjë gjurmë në këtë përfaqësuese, por të tjerë të natyralizuar kanë pasur ndikim.
Por pati ankesa. Dhe FIFA nisi hetimet. Më pas edhe dënimet për Federatën e Futbollit të Malajzisë.
Federata Ndërkombëtare e Futbollit së fundi ka anuluar rezultatet e tri ndeshjeve të Malajzisë, pasi zbuloi se kjo përfaqësuese kishte aktivizuar lojtarë që nuk kishin të drejtë të paraqitjes. Këtë e bëri të ditur të mërkurën Federata e Futbollit e Malajzisë. Është kjo vetëm goditja e radhës për Malajzinë në skandalin në rritje të falsifikimit të dokumenteve.
FIFA kishte pezulluar shtatë lojtarë të natyralizuar për 12 muaj dhe kishte gjobitur federatën e Malajzisë me plot 350 mijë franga zvicerane (374 mijë euro) në shtator, pasi zbuloi se dokumentacion i rremë ishte përdorur për t’i lejuar ata të luanin në ndeshjen kualifikuese të Kupës së Azisë kundër Vietnamit në qershor.
FIFA muajin e kaluar hodhi poshtë një apel të Malajzisë, duke njoftuar që do të niste një hetim mbi veprimet e brendshme të federatës së këtij vendi dhe do të njoftonte autoritetet në pesë shtete për procedurat e mundshme penale. Federata e Malajzisë tha se do ta dërgonte rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Me vendimin e fundit, Disiplinori i FIFA-s ndryshoi rezultatet e tri miqësoreve në të cilat u paraqitën lojtarët pa të drejtë. Të tri ndeshjet i regjistroi 3:0 në të mirë të Kepit të Gjelbër, Singaporit dhe Palestinës. Këto ndeshje janë luajtur në maj e shtator. Federata e Malajzisë po ashtu është gjobitur me 10 mijë franga zvicerane shtesë.

Skandali ka shkaktuar trazira në Malajzi. Tifozët dhe disa ligjvënës kanë kërkuar masa ndaj federatës, si dhe ndaj organizatave qeveritare që janë përgjegjëse për dhënien e shtetësisë për lojtarët. Federata ka pezulluar sekretarin e përgjithshëm dhe ka formuar komitet të pavarur për të hetuar atë që e quajti “gabim teknik”.
Kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, është zotuar për transparencë të plotë në hetime, por ka theksuar se federata duhet të lejohet të mbrojë veten.
Praktika e natyralizimit të lojtarëve nga vendet e tjera në Malajzi mori hov nga viti 2020. Krasniqi ishte prej tre të natyralizuarve në atë periudhë, së bashku me Guilherme de Paula nga Brazili dhe Sam Somerville nga Mbretëria e Bashkuar. Të tre luajtën në kualifikime për Botëror. Asnjëri prej tyre nuk plotësonte kriterin e qëndrimit dhjetëvjeçar në Malajzi, që sipas disa mediave kërkohet për ta fituar shtetësinë e këtij vendi.
Krasniqi në shkurt të vitit 2020 ishte pajisur me shtetësi të Malajzisë. Krasniqi në fakt ishte lojtari i dytë i natyralizuar nga Malajzia, pas Mohammadou Sumareh, i lindur në Gambi.
FIFA ka dënuar lojtarët që e morën shtetësinë e Malajzisë, duke u thirrur në prejardhjen e tyre nga ky vend i Azisë. Pesë prej lojtarëve kishin marrë shtetësinë vetëm një javë para një ndeshjeje vendimtare. Dhe asnjëri prej shtatë lojtarëve nuk i kishin gjyshërit nga Malajzia, ashtu siç ishte paraqitur në dosje. Prejardhja e tyre ishte nga Spanja, Argjentina, Brazili dhe Holanda.
Bëhet fjalë për lojtarët Gabriel Palmera dhe Jon Irazabal nga Spanja, Facundo Garces, Rodrigo Holgado dhe Imanol Machuca të lindur në Argjentinë, Joao Figueiredo i lindur në Brazil dhe Hector Hevel i lindur në Holandë.
23 lojtarë të huaj, duke përfshirë shtatë të dënuarit dhe Krasniqin, kanë pranuar shtetësi të Malajzisë që nga viti 2018.
Krasniqi, tani 33-vjeçar, luajti në Malajzi nga viti 2015. Ishte në skuadra si Kedah, Melaka United e Johor Darul Ta’zim. Ai i kishte edhe disa paraqitje për Kosovën.