Enis Zabërgja i ka dhënë fund karrierës si futbollist. Ai të hënën ka njoftuar se po largohet me kokën lart nga futbolli aktiv. Zabërgja ka fituar gjithçka që mund të fitohet në Kosovë.
Ai është vlerësuar prej sulmuesve më të mirë që ka pasur Kosova e pasluftës. Së fundi ishte pjesë e klubit Mitrovica, që garon në Ligën e parë të Kosovës. Ka luajtur edhe për Hysin, Drenicën, Trepçën, Llapin.
“Nuk është e lehtë pas 22 viteve karrierë t’i thuash lamtumirë sportit më të bukur në botë. Ishte kënaqësi që punova me trajnerët më të mirë të Kosovës dhe pata kënaqësinë të luaj me lojtarët me të mirë të Kosovës. Fitova gjithçka që fitohet në futbollin e Kosovës. Shënova mbi 250 gola dhe krenaria më e madhe ishte të paraqitesha për Kosovën. Gazetar, futbollistë, tifozë, ishte kënaqësi që këto vite ishim bashkë, ishim bashkë në kohë të mira dhe në kohë të vështira”, ka shkruar ndër të tjera në letrën përshëndetëse një prej sulmuesve më të mirë në futbollin e Kosovës.
Ai në fund të letrës ka falënderuar edhe familjen për përkrahjen e madhe.